Pjesa e para të ditës do të mbizotërohet nga moti i kthjellët dhe vranësira të pakta në pjesën më të madhe të vendit, ku më të theksuara vranësirat do të jenë përgjatë shtrirjes Lindore. Parashikohet që gjatë pasdites vranësirat dhe lagështira në ajër të shtohen gradualisht në të gjithë territorin e vendit, por nuk priten reshje.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 5°C vlera minimale e shënuar në qytetin e Peshkopisë deri në 25°C vlera maksimale e cila pritet në qytetin e Elbasanit. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë mbi 35 km/h nga drejtimi veriperëndimor; për pasojë në brigjet detare do të krijohet dallgëzim i ulët.
Kosovë
Kushtet e qëndrueshme atmosferike do të vijojnë të jenë dominante përgjatë gjithë 24 orëshit, ku orët me diell do të jenë të shumta në një pjesë të mirë të republikës së Kosovës. Pritet që pas mesdite të shfaqen kalime vranësirash të lehta e kalimtare nëpër të gjithë territorin e Kosovës. Temperaturat e ajrit do të qëndrojnë kostante në vlerat minimale por ulen maksimumet duke u luhatur nga 3°C vlera më e ulët në Mitrovicë deri në 22°C vlera më e lartë në qytetin e Prizrenit. Era do të fryjë e lehtë paradite por forcohet gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë mbi 35 km/h nga drejtimi kryesisht veriperëndimor.
Maqedoni e Veriut
Vlerat e larta barike do vijojnë të sjellin në MV mot, kryesisht të qëndrueshëm dhe dominim të kthjellimeve në të gjithë vendin gjatë paradites. Por pasditja do të sjellë kalime të pakta vranësirash kryesisht në zonat Juglindore të MV por nuk priten reshje ndërsa e gjithë pjesa tjetër e MV do të jetë në mbizotërimin e motit të kthjellët. Temperaturat e ajrit do të qëndrojnë kontante në vlerat minimale, por ulen maksimale duke u luhatur nga 3°C vlera minimale e shënuar në Dibër deri në 23°C vlera maksimale në qytetin e Shkupit. Era do të fryjë e lehtë gjatë paradites por forcohet në pjesën e dytë të ditës duke arritur shpejtesinë maksimale mbi 30 km/h nga drejtimi veriperëndimor.
Evropa
Pjesa më e madhe e kontinentit europian do të dominohet nga moti i kthjellët dhe temperatura relativisht të larta; si pasojë e prezencës së një qëndre Anticiklonare e vendosur në qendër të kontinentit me ndikim deri në rajonin e Ballkanit ndërsa një sistem i dendur vranësirash i cili prej disa ditësh ka përshirë Europën veriore me ndikim deri në Lindje të kontinentit; do të bëjë që vranësirat, reshjet e shiut dhe dëborës të jenë dominante gjatë gjithë 24– orëshit, herë pas here priten edhe stuhi të forta ere.