Kthehen kamionë me produkte të Serbisë dhe Bosnjës

schedule09:03 - 23 Nëntor, 2018

schedule 09:03 - 23 Nëntor, 2018

Dogana e Kosovës ka filluar me zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi është duke u aplikuar në të gjitha pikat kufitare.

Sipas tij, disa kamionë me mallra nga Serbia dhe Bosnja e e Hercegovina janë kthyer në momentin kur kanë kuptuar se taksa prej 100 për qind është duke u aplikuar.

Kemi pasur deri tani 11 maune, të cilat janë kthyer, pjesa më e madhe e këtyre mauneve që janë kthyer kanë qenë për arsye se sipas deklaratave të tyre, nuk e kanë ditur që ka filluar aplikimi i kësaj takse. Ata, kur kanë arritur janë njoftuar dhe janë kthyer. Kemi pasur edhe raste kur disa kamionë janë kthyer për shkak se mallrat që kanë pasur, nuk i janë referuar Kosovës si shtet”, thekson Stavileci.

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka marrë vendim që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja.

Rritja e taksës, pason vendimin paraprak të Qeverisë për vendosjen e një takse prej 10 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Vendosja e kësaj takse ka nxitur reagimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini, e cila ka kërkuar nga Kosova ta shfuqizojë menjëherë këtë vendim./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!