Kryqëzimi i Shëngjinit, aty ku trafiku i makinave është i përhershëm

schedule13:13 - 8 Nëntor, 2018

schedule 13:13 - 8 Nëntor, 2018

Trafiku në rrugën e Shëngjinit është i përditshëm dhe me gjithë investimet që janë bërë, qarkullimi rrugor nuk normalizohet. Kryqëzimi që ndodhet në këtë rrugë nuk e përballon dot fluksin e mjeteve.

Dalja dhe hyrja në rrugën drejt Shëngjinit do të ketë edhe në vazhdim pamje të tilla. Bllokimi i lëvizjës në pikun e sezonit turistik apo fundjavave do të ketë vetëm trajtimin e policisë rrugore. Fluksi në rritje i mjeteve që lëvizin nuk mund të përballohet nga ky kryqëzim kaq i vogël për një rrugë kaq shumë të frekuentuar. Projekti i bashkisë është realizuar pjesërisht nga qeveria, duke ndërhyre vetëm për veshjen e rrugës me asfalt. Kjo nuk i dha zgjidhje problemit të vjetër me trafikun e rënduar që krijohet pikërisht për shkak të këtij kryqëzimi.

Kryetari i dhomës së tregtisë dhe industrisë në Lezhë, Pashk Palokaj, thotë se kostoja e shtimit të policisë rrugore si pasojë e situatës që krijohet në këtë segement gjatë sezonit veror, është më e lartë se kostoja për të realizuar rrethrrotullimin dhe zgjerimin e kësaj rruge. Sipas Palokajt, vazhdojmë të mbetemi në pikën fillestare dhe pa asnjë zgjidhje për zonën turistike të Shëngjinit.

Pashk Palokaj, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Insdustrisë Lezhë: “Është një problem i pazgjidhur, përfundimisht është problem i pazgjidhur. Gjithë investimi, mendoj unë, jo se ka bërë keq por nuk ka zgjidhur asnjë gjë.”

Qeveria shqiptare ndërhyri për rikonstruksinoin e rrugës së Shëngjinit në shtator të këtij viti, por pa i dhënë zgjidhje problemit me trafikun që krijohet në këtë zonë turistike kryesisht gjatë sezonit veror.

Përgatiti: Gjergj Figuri, gazetar i ABC News, Lezhë