Kryhen 60% e punimeve në aksin Kardhiq-Delvinë

schedule13:05 - 29 Qershor, 2019

schedule 13:05 - 29 Qershor, 2019

Punimet në tre lotet e rrugës Kardhiq-Delvinë kanë avancuar në 60 përqind të tyre. Kjo është një garanci se kjo vepër do të jetë gati para afatit të parashikuar është shprehur ministrja e Infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku gjatë inspektimit të punimeve.

Kanë qenë të shumta problematikat e shfaqura për shkak të terrenit ku shtrihet rruga Kardhiq Delvinë. Sot duket se kanë marrë zgjidhen e duhur teknike duke e bërë optimiste ministren e infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku se aksi do të përfundojë para afatit.

“Ecuria e punimeve në lotin 5  në rrugën Kardhiq-Delvinë duket se po shkon mirë. 60 përqind e volumit të punimeve ka avancuar. Kryesisht kemi përfunduar pjesën e gërmimeve qoftë për trasenë e rrugës e cila është gati edhe qoftë për krijimin e veprave të artit. Problematikat këtu i kemi diskutuar dhe terreni është i vështirë për të thënë të drejtën, ka pasur edhe rrëshqitje në disa nga rastet megjithatë po bëhet një punë e mirë e cila na jep shpresë se ndoshta do mbarojmë edhe para afatit”.

Nga ana e saj drejtoresha e Autoritetit Rrugor Sonila Qato theksoi se Këshilli Teknik i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka dhënë zgjidhje teknike për të gjitha problematikat e paraqitura nga ana e supervizorëve.

“Kemi diskutuar të gjitha problematikat që kanë pasur të trijalotet të cilat janë duke punuar, si loti 4,5 dhe 6, për të korrigjuar ato defekte të paraqitura nga ana e supervizorit dhe për t’u riprojektuar siç duhet dhe marrë masat në mënyrë që vepra të eci me të njëjtat ritme dhe gjatë kësaj periudhe të thatë kohore ku punohet me ritme të mira të treja kompanitë të kenë mundësi të ndjekin grafikun e punimeve të miratuara”.

Krahas ndërtimit të rrugës po punohet edhe për rehabilitimin e depozitimeve të inerteve me standardet e TAP ndërsa është bërë e mundur edhe lidhja e fshatrave që shtrihen përgjatë aksit Kardhiq-Delvinë me rrugën e re. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!