Për kryetarin e Komunës së Gostivarit në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari shqiptarët i gëzojnë të gjitha të drejtat në nivel komunal, por një gjë e tillë nuk është e vërtetë në nivel qendror. I ftuar në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, Arben Taravari u shpreh që:
‘Nëse me pyesni në nivel lokal, shqiptarët i gëzojnë të gjithë të drejtat në nivel komunal, por kjo nuk është në nivel qendror, gjuha shqipe për shembull, mandej zhvillimi ekonomik është shumë i rëndësishëm, të gjitha investimet që bëhen në bashki, bëhen në bashkitë që ka më shumë popullsi maqedonase apo në maqedoninë lindore’.
Për kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari njëheësh dhe ushtrues i detyrës së kryetarit të Aleancës për Shqiptarët ‘Maqedonia e Veriut është shteti më i centralizuar në Ballkan’ sidomos kjo e shprehur në centralizim financiar, dhe ku paratë e tatimpaguesve nuk iu jepen bashkive, komunave apo këshillave komunale, por shpërndahen nga institucionet qendrore.
Investimet janë bërë më shumë në Maqedoninë lindore, dhe justifikimi i maqedonasve është që atje ka më shumë fuqi punëtore ndërsa që shqiptarët vazhdojnë të largohen në vendet e BE-së, dhe më pak në SHBA.
Sipas tij njëra prej shtyllave kryesore të marrëveshjes së Ohrit ka qenë decentralizimi, por për decentralizimin në nivel të kulturës dhe akoma shqiptarët nuk i kanë kompetencat e decentralizimit të kësaj marrëveshje.
Edhe për analistin e njohur Mentor Nazarko, ka një diferencim në trajnim, komunat shqiptare apo vendbanimet shqiptare nuk janë duke gëzuar ndonjë përmirësim të statusit të tyre në këmbim me të ardhurat që grumbullohen në nivel lokal. Shqiptarët trajtohen si pakicë, por nuk janë pakicë, janë një e treta e popullsisë.
Prej shumë vitesh në Maqedoni është duke qeverisur e njëjta parti por ndikimi që ata kanë në qeverisjen maqedonase është shumë i vogël, ndërkohë që investimet në rrugë në pjesën perëndimore të Maqedonisë mungojnë.
/Abcnews.al/