Kryetari i Gjykatës së Kurbinit përpara KPK-së

schedule16:28 - 9 Janar, 2019

schedule 16:28 - 9 Janar, 2019

Kryetari i Gjykatës së Kurbinit, Alfred Gjoni, u përball këtë të mërkurë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Sipas Komisionit të Vettingut, gjyqtari nuk justifikon në burime të ligjshme një banesë prej 60 metër katrorë në periferi të Tiranës dhe ngriti dyshime se çmimi i saj prej 1.9 milionë lekësh ishte më i ulët se i tregut.

Po sipas Komisionit, gjyqtari nuk kishte deklaruar shpenzimet e një shtese prej 47 m2 të bërë banesës. Vetë gjyqtari pretendoi se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme. Ai paraqiti si provë kontratat e shit-blerjeve të hyrjeve të tjera të pallatit, që sipas tij, ishin thuajse në të njëjtin çmim.

Ndërsa për disa gjykime të zvarritura prej tij, ai tha se kjo kishte ardhur për shkak të ngarkesës së lartë dhe angazhimit të tij si gjyqtar i deleguar në katër gjykata të tjera. Vendimi përfundimtar ndaj tij do të shpallet në 14 Janar./abcnews.al