Kryetari i bashkisë: Ferri ekziston dhe është në Mariupol

schedule16:29 - 1 Maj, 2022

schedule 16:29 - 1 Maj, 2022

Një operacion është duke u zhvilluar për të zhvendosur civilët nga fabrika e çelikut Azovstal, pjesa e fundit e qytetit të Mariupol e kontrolluar nga forcat ukrainase.

Por rrugë pas rruge, ndërtesë pas ndërtese, shumica e qytetit tani është në gërmadha. Mariupol ka përjetuar disa nga luftimet më të ashpra në këtë luftë, përcjell abcnews.al.

Mijëra kanë vdekur edhe pse nuk është ende e qartë shifra e saktë. Thuhet se trupat mbeten në rrugë. Të tjerët janë varrosur në varreza masive, në mënyrë joceremonike dhe të paidentifikuar.

Forcat ruse hynë në ditët e para të pushtimit, duke imponuar atë që është përshkruar si një rrethim mesjetar. U ndërprenë rrugët, energjia elektrike, komunikimet dhe gazi. Banorët u detyruan të strehohen nën tokë mes bombardimeve dhe granatimeve të vazhdueshme.

Nga popullsia e qytetit të paraluftës prej 450,000, rreth 100,000 raportohet se janë ende aty. Kryetari i bashkisë, Vadym Boychenko, tha për BBC se situata është shumë e vështirë dhe se nuk ka mbetur pothuajse asnjë furnizim me ushqim dhe ujë.

Boychenko, i cili nuk është më në qytet, tha se rreth 20,000 njerëz ishin vrarë që nga fillimi i pushtimit. Ndërsa rrjeti telefonik është  jofunksional në pjesën më të madhe të qytetit, është e vështirë të verifikohet në mënyrë të pavarur informacioni.

“Qytetarët që u larguan nga qyteti thonë se ferri ekziston dhe është në Mariupol”, u shpreh kryebashkiaku.

Mariupol është strategjikisht i rëndësishëm për Rusinë. Kapja e tij do të ndihmonte Moskën të krijonte një korridor tokësor midis rajoneve separatiste pro-ruse të Donetsk dhe Luhansk, në Ukrainën lindore, dhe Krimesë, të cilën Rusia e pushtoi dhe e aneksoi në 2014. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!