Pescara e Ledian Memushajt pret në shtëpi nesër Entellën kryesuese. Zëvendës kapiteni i “delfinëve” ka folur për “Gazzetta dello Sport” për këtë duel tepër të rëndësishëm. Rivaliteti në Serie B është i ashpër dhe vlonjati e di mirë një fakt të tillë.
Kreu është vetëm tre pikë larg dhe nesër Memushaj me shokë do të futen në fushë vetëm për fitore.
“Do përballemi me Entellën me respektin e duhur për një ekip në formë. Ata ndodhen në krye dhe kjo do të thotë që e meritojnë atë pozicion për momentin. Ne do të jemi një kundërshtar shumë i vështirë për ta. E përsëris edhe njëherë, respekt për Entellën, por ne jemi Pescara.
Kampionati? Po më pëlqen shumë edhe Benevento. Gjithsesi, nuk mund ta quajmë surprizë duke parë kontingjentin e ekipit të Inzaghit. Prisja diçka më shumë nga Frosinone, por është vetëm fillimi i kampionatit”, përfundon mesfushori i kombëtares kuqezi. /abcnews.al