Kryesia e PD vendos për protesta me bllokim rrugësh çdo të enjte

schedule19:11 - 26 Prill, 2019

schedule 19:11 - 26 Prill, 2019

Pavarësisht thirrjeve të ramës, opozita ka vendosur të përshkallëzojë protestën. Gjatë mbledhjes së kryetarit Lulzim Basha me kryesinë e partisë dhe ish-deputetët e dorëhequr, u vendos për bllokim rrugësh, çdo të enjte.

“Asnjë minutë paqe për Edi Ramën derisa të largohet e t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Është ky vendimi i kryesisë dhe grupit të ish-deputetëve të Partisë Demokratike, mbledhur në selinë blu pasditen e së premtes ku edhe konfirmuan vijimin e mosbindjes civile përmes bllokimit të rrugëve çdo të enjte, përkundër strategjisë së përdorur deri më tani, atë të protestave përpara parlamentit.

Përballja do të jetë në çdo qytet në çdo shesh dhe rrugë të vendit për të kulmuar në 11 Maj në protestën kombëtare përpara kryeministrisë mësohet të ketë deklaruar në mbledhje kryedemokrati Lulzim Basha

 “Koha kur në Shqipëri Edi Rama dhe kriminelët e tij diktonin zgjedhjet, ka marrë fund njëherë e mirë. Ne do të jemi në krye të protestave të qytetarëve, derisa të fitojmë betejën europiane dhe demokratike për të mos lejuar krimin elektoral të 30 Qershorit.”

“Edi Rama e di se nuk mund t’i rezistojë presionit popullor, prandaj po kërcënon me burg. Edi Rama ka frikë, sepse e di shumë mirë, që një hetim i pavarur, çon në burg atë vetë, Vangjushin e tij dhe Damian Gjiknurin për blerjen e zgjedhjeve bashkë me krimin”.

Kreu i partisë demokratike ka shprehur gatishmërinë për të sakrifikuar çdo gjë për të mos lejuar që në 30 Qershor të ketë atë që quan “një krim tjetër elektoral si ai i 2017-ës.”