Kryeprokurorja e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, foli para gazetarëve duke mohuar se është e përfshirë në rastin “Reket”, duke kërkuar që organet të hetojnë rastin. Ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me atë se si e ka humbur telefonin, pasi Prokuroria doli me njoftim se telefoni nuk është humbur, por është gjetur te një person, të cilit i është dhënë dhuratë.
Pasi kaloi më shumë se një javë që nuk dihej gjë për Katica Janevën, ajo sot vendosi të paraqitet në Prokurorinë Speciale dhe të prononcohet për media.
Erdhi, e shpalli vetën viktimë të politikës dhe mediave.
“Që nga momenti kur u zgjodha si Prokurore Speciale, biografia ime profesionale, jeta private, familja, janë qëllim i shumë thashethemeve, sulme dhe tentime që të më përfshijnë në luftën politike ditore të partive”.
U shfajësua për rastin “Zhvatja”.
“Me përgjegjësi të plotë e them se as me vetëdije, as pa vetëdije, as që kam bërë diçka që ta keqpërdor detyrën që momentalisht po e kryej. Publikisht u bëj thirrje organeve të drejtësisë që deri në fund ti pastrojnë të gjitha rrethanat për rastin konkret. Po, është e vërtetë, se unë, njësoj si shumë persona tjerë që janë në funksione shtetërore, njihemi me personin Bojan Jovanovskin. Asnjëherë nuk e kam fshehur se djali im punon në 1TV, dhe se për shkak të punës që e bën, në bazë ditore komunikon me personin. Por kjo nuk do të thotë se dikush ka të drejtë ta keqpërdor detyrën time zyrtare, që eventualisht të fiton privilegje të caktuara, ose të bëj vepra joligjore”.
Dhe u largua pa u përgjigjur në asnjë pyetje.
Janeva do të vazhdoj ta udhëheq Specialen, deri sa të votohet ligji i ri për Prokurorinë Publike, i cili parasheh që Specialja të integrohet në Prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion të lartë.
E sa do të zgjasë procedura për sjelljen e ligjit, varet nga Qeveria dhe vullneti politik i partive, tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
E Qeveria ende nuk e ka dorëzuar propozim-ligjin në Kuvend. Xhaferi do të presët sot edhe nesër që propozim-ligji të dorëzohen, e nëse kjo nuk ndodh. /ABC News Albania 24/7