Kryeprokurori i Uashingtonit padit facebook për rrjedhjen e të dhënave

schedule22:29 - 19 Dhjetor, 2018

schedule 22:29 - 19 Dhjetor, 2018

Fejsbuk duket se nuk do ta kalojë lehtë skandalin e rrjedhjes së të dhënave gjatë fushatës elektorale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara. Një prokuror në Uashington ka ngritur padi ndaj drejtuesve të rrjetit social për neglizhencë të qëllimshme në ruajtjen e të dhënave personale të përdoruesve.

Kryeprokurori i Uashingtonit ka ngritur padi ndaj Facebook, në atë që mund të konsiderohet si hapi i parë i drejtësisë amerikane për të ndëshkuar rrjetin social për rrjedhjen e të dhënave. Prokurori i përgjithshëm i rajonit të Kolumbias, Karl Rejsin depozitoi padinë ditën e mërkurë, nën akuzën se me vetëdije Facebook kishte lejuar zbulimin e të dhënave personale të dhjetëra milionë përdoruesve. Aksioni ligjor i shtohet një numri të konsiderueshëm hetimesh të tipit rregullator që po zhvillohen ndaj rrjetit social më popullor në botë mbi privatësinë e përdoruesve dhe masat e sigurisë. Një zëdhënës i rrjetit social ka deklaruar për BBC se bordi drejtues është njohur me padinë, po e shqyrton atë dhe është i gatshëm ta diskutojë me prokurorin. Por veç prokurorisë kompanisë së themeluar nga Mark Zukerberg i duhet të përballet edhe me hetimet e Komisionit për Sigurinë dhe Shkëmbimin e të Dhënave, Komisionit Federal të Tregtisë dhe ato të Departamentit e Drejtësisë. Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar Facebook është gjobitur me 500 mijë paund për skandalin ku ishte përfshirë edhe kompania “Kembrixh Analitika”. Probleme më të mëdha mund të lindin edhe nga enti irlandez për mbrojtjen e të dhënave, që po analizon defektet e sigurisë së rrjetit, një hetim që mund të konsiderohet si testi i parë madhor i Europës për zbatimin e ligjeve të reja mbi privatësinë. Sipas “Washington Post”, padia e kryeprokurorit të Uashingtonit mund të jetë e hapur për të përfshirë të dhëna të reja që mund të zbulohen në vazhdim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!