Kryeparlamentarja Nikolla takim me senatorin Casini: Italia mbështet përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

schedule12:06 - 18 Maj, 2024

schedule 12:06 - 18 Maj, 2024

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua sot me Senatorin e Italisë Pier Ferdinando Casini, President i grupit ndërparlamentar të Italisë. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Italisë në Tranë, Fabrizio Bucci.

Nikolla shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për kontributin e Senatorit Casini në fuqizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, në të gjitha detyrat publike, si anëtari më jetëgjatë i Dhomës së Deputetëve dhe si President i saj dhe aktualisht si Senator i Republikës dhe President i grupit ndërparlamentar të Italisë.

Gjatë takimit u diskutua mbi marrëveshjen e saporatifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me Italinë për pensionet, zbatimin e Protokollit të Bashkëpunimit për emigrantët e paligjshëm, Partneritetin Strategjik dhe bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh, mbështetjen e fuqishme të integrimit evropian të Shqipërisë, emigrantët shqiptarë, komunitetin arbëresh dhe qytetarët italianë në Shqipëri si ura miqësie, bashkëpunimin parlamentar mes dy vendeve, angazhimin e qeverisë italiane për mbështetjen e Kosovës, kontributin dhe mbështetjen për paqen dhe luftën e drejtë të Ukrainës etj.

Kryetarja Nikolla vuri në dukje se “Marrëveshja për pensionet, prej së cilës do të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë në Itali dhe mbi 4 mijë italianë në Shqipëri, tregon se bashkëpunimi dypalësh u shërben interesave dhe mirëqenies së qytetarëve të të dy vendeve tona. Marrëveshja për emigrantët e paligjshëm është një shenjë mirënjohje për mbështetjen që Italia i ka dhënë emigrantëve shqiptarë, sidomos në kohët e vështira, por edhe përgjatë tre dekadave; një gjest humanizmi për këta njerëz të pashpresë; një tregues se Shqipëria po del nga pozita vulnerabël dhe po kontribuon në sistemin global të emigracionit.”

Senatori Pier Ferdinando Casini falënderoi Kryetaren Nikolla për takimin dhe vuri në dukje se bashkëpunimi italo-shqiptar vjen gjithnjë në rritje. Italia mbështet anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si një nevojë për stabilitetin e rajonit, kontinentit dhe më gjerë. Është shumë e rëndësishme që debatet politike të zhvillohen në Kuvend, si një institucion thelbësor i sistemit demokratik. Italia mbështet gjithashtu rolin e Shqipërisë në zhvillimet ndërkombëtare, sidomos në rajonin e Mesdheut.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!