“Kryemjeshtri”/ Një histori e jashtëzakonshme ambicieje, pasioni dhe këmbënguljeje për të realizuar të paimagjinueshmen në sport

schedule20:37 - 28 Mars, 2023

schedule 20:37 - 28 Mars, 2023

“Kryemjeshtri” është libri më i ri mbi historinë e suksesit të trajnerit nga Peja Driton Kuka, sportist me një numër të madh rekordesh që ka prekur majat botërore të sportit olimpik të judo-s, i cili ishte i ftuar sot në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, së bashku me kampionet olimpike të stërvitura prej tij Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, njëkohësisht edhe personazhe të librit.

Botimi u prezantua nga Kryeministri Edi Rama në një diskutim të hapur mbi rrugëtimin e trajnerit “kryemjeshtër” në sport, të cilin Kryeministri Rama e cilësoi jo thjeshtë si një histori sporti, por shumë më tepër se aq “një histori e jashtëzakonshme ambicieje, pasioni dhe këmbënguljeje për të realizuar të paimagjinueshmen.”

Kryeministri ndau me të pranishmit mbresat dhe emocionet e përftuara pas leximit të librit, në një dialog me Dritonin mbi momentet më interesante të përmendura në libër.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Mirëmbrëma të gjithëve dhe faleminderit shumë për këtë privilegj që sot këtu ne të prezantojmë librin “Kryemjeshtri” dhe mbi të gjitha të kemi vetë personazhet e librit sepse këtu, natyrisht, kryemjeshtri është një personazh, por pa personazhet e tjera edhe mjeshtëria e tij nuk mund të kuptohet.

Unë kam bërë disa detyra shtëpie dhe do dëshiroja me shumë kënaqësi që në njëfarë mënyrë, ta nxisja bisedën, duke shpresuar që do mund të nxjerrim diçka më shumë sesa çfarë thuhet në libër dhe ndërkohë, patjetër, duke besuar që përmes kësaj bisede, edhe të tjerë që do të na ndjekin do të interesohen që ta shohin nga më afër këtë histori, e cila në këndvështrimin tim, nuk është thjeshtë një histori sporti, por shumë më tepër sesa kaq; është një histori e jashtëzakonshme pasioni, ambicieje dhe këmbënguljeje për të realizuar të paimagjinueshmen, për hir të vërtetës sepse besoj që vetëm në kokën e Dritonit mund të ketë ekzistuar, si fillim, ambicia për të sjellë në Kosovë medalje ari nga Lojërat Olimpike dhe pastaj me shumë pak të tjerë kjo ambicie është kultivuar derisa në fund ka shpërthyer në një sukses të jashtëzakonshëm edhe nuk them dot më tani që është i papërsëritshëm për faktin se vlera tjetër e shtuar e këtij suksesi është që përbën forcën e një shembulli që me siguri do të frymëzojë të tjerë dhe pa asnjë diskutim, në një moment të caktuar do të sjellë të tjera suksese si rezultat i dhënies së provës se nuk ka asnjë gjë të pamundur kur njeriu shikon me sy hapur një ëndërr dhe ka kurajon dhe ka pasionin dhe ka gatishmërinë që t’i shkojë pas asaj ëndrre, duke pranuar të gjitha sakrificat, të gjitha dhimbjet, të gjitha mundimet, të gjitha rrëzimet, të gjitha zhgënjimet që janë të pashmangshme dhe duke ia dalë në fund.

Duke i falënderuar dhe gocat për praninë e tyre këtu, unë do dëshiroja ta nisja me Dritonin me një element që më bëri përshtypje, për hir të së vërtetës, shumë dhe mund ta kuptoj sepse në një dimension shumë më modest edhe shumë më ndryshe, por njëkohësisht edhe të njëjtë sepse edhe kur njeriu hyn në një garë politike prapë është një garë, dhe kur mendon gjatë gjithë kohës sesi do t’ja dalë të fitojë një palë zgjedhje prapë është si njësoj si të mendosh për të fituar në fund një garë dhe pastaj në atë moment kur ti e realizon dhe vetëdijesohesh që ti ia ke dalë, mund të ketë një moment si ky që thuhet qysh në faqen e parë të librit që Dritoni nuk komunikonte, nuk duartrokiste, nuk reagonte dhe ishte si i mpirë, si i ngrirë aty dhe do kisha dëshirë, nëse mund ta risjell atë moment, se çfarë është, është një moment relaksimi deri në pikën që nuk do fare as të flasësh, as të komunikosh me njeri, as të dëgjosh e as të bëhesh pjesë e një feste? Është një moment që nuk e beson dot as vetë që është realizuar, është një moment ezaurimi si të thuash  i gjithë energjive apo janë të gjitha bashkë apo është diçka tjetër?

Driton Kuka: Së pari faleminderit Kryeministër! Është kënaqësi që keni gjetur kohë të diskutojmë për një libër mbi të cilin ka punuar me pasion, autori, miku im Arsimi, i cili është këtu dhe me të cilin për 2, 3 vite me radhë kemi shpalosur momentet më të rëndësishme të ndërtimit të tri kampioneve olimpike, por jo vetëm, meqënëse kemi ndërtuar edhe sportistë të tjerë që janë në ardhje. Momenti i Medaljes së Artë Olimpike është i veccantë sepse kemi pritur shumë dhe kemi punuar shumë për këtë ditë. Është e vërtetë që Lojërat Olimpike janë kulmi i ccdo sportisti dhe faktikisht megjithë rezultatet e shkëlqyera që kemi patur, sërish Lojërat Olimpike kanë mbetur si diccka e veccantë. Faktikisht në vitin 2009 Majlinda është bërë kampione botërore për të reja edhe e ka dominuar botën në grup mosha të reja, domethënë e ke në duar një nxënës të shkëlqyer në shkollën fillore dhe të mesme, por nuk do të thotë që do të behet doktor shkence dhe do të jetë një njeri i përsosur në lëndën përkatëse. Dhe faktikisht pas vitit 2009 plot për 4 vite të plota nuk kemi patur medalje elitare për të rritur dhe kjo më ka prurë mua në dilema të shumta aq sa në një moment kam pasur dilema në kokën time se a do të mundem unë që ta ndërtoj një kampione botërore për të reja që të shkëlqejë për të rritur.

Kryeministri Edi Rama: Është e pashmangshme që të mos merremi me një aspekt të gjithë kësaj historie që është një aspekt jo sportiv, por që është në sfondin e kësaj historie. Besoj që ajo që e bën këtë histori një histori të jashtëzakonshme, nuk është thjesht fakti që është një histori që zhvillohet në një vend të vogël, në një vend relativisht të varfër, në një vend larg metropoleve, larg zhvillimeve teknologjike madje, edhe aty në atë vend në një qytet të vogël të atij vendi jo në kryeqytet, kjo në vetvete është një gjë e jashtëzakonshme, por ajo që e bën këtë histori një histori unikale, është fakti që historia e këtij suksesi sportiv, zhvillohet paralelisht me historinë e lindjes së një shteti dhe ka në gjithë prapavijën e vetë një periudhë përballje me vdekjen, përballje me humbjen e jetës, me humbjen e njerëzve të njohur, me humbjen e njerëzve të afërt dhe këtu në libër ka një moment që unë besoj që duhet me patjetër të konsiderohet si një moment indirekt, por ama pazgjidhshmërisht përcakton një pjesë të rëndësishme të këtij suksesi që është momenti i asaj që autori e quan “ditëlindja e dytë” e që ka të bëjë pikërisht me një situatë rreziku për jetën.

Ndoshta nuk është pjesa më e kënaqshme e bisedës, por besoj se nuk e lemë dot pa e prekur këtë pjesë. Jo për aspektin episodik ose të rrëfimit të vetvetes si ndodhi, ku ndodhi  e të tjerë, e të tjerë, po për aspektin e gjurmës që ka lënë ky moment dhe gjithë lufta e gjithë ajo periudhë në këtë histori sportive.

Nuk e di pse, por edhe duke lexuar librin, por edhe duke menduar për këtë histori suksesi sidomos pasi unë jam njohur me vajzat dhe Dritonin, gjithmonë kam besuar me ose pa vetëdije, kjo dalja nga lufta dhe kapërcimi i një momenti aq tragjik, dramatik, po dhe heroik dhe euforik po të doni i lindjes së një shteti ku gjithë kjo skuadër nuk është thjesht skuadër sporti, por është dhe një komunitet njerëzish që kanë marrë pjesë në këtë rrugëtim ka dhënë një forcë ekstra.

Mbase gabohem, por kam përshtypjen që i ka dhënë një forcë. Si njeriu që i ka parë të gjitha dhe ka arritur deri te vdekja ta shohi me sy e pastaj në një tapet ku përballet me një garë që është një garë që në fund të ditës prap mbetet sport, ka një marzh më shumë, ka një forcë më shumë, ka një nxitje më shumë. Nuk e di, mbase është thjeshtë ajo pjesa e përpjekjes për të kuptuar dhe komentuar, por unë do doja ta përballja këtë përshtypje me si e shikoni ju, pra në këtë rast të gjithë ju, por duke u nisur nga kjo “ditëlindja e dytë”.

***

E fundit që kam unë për veten time nga libri është pjesa ku pasi ecën e ecën në libër dhe ndjek Dritonin, pastaj Majlindën, pastaj daljen e dy kampioneve të tjera, është pjesa e historisë që ne e dimë, ishte dhe një djalë aty që del që unë nuk e dija dhe pastaj në fund të librit ka një pjesë shumë të bukur, për mua, ku shfaqen disa emra të tjerë që ne nuk i njohim dhe këta nuk janë më dy por pesë që përmenden; Laura, Flaka, Erza, Shpati dhe Erdani që është prekëse sepse jo vetëm që historia vazhdon dhe nuk ka mbaruar, por shtohen “inatçinjtë” që duan të marrin medalje dhe kjo më bëri të mendoj që nëse do kemi dakordësi me Dritonin dhe zotërinë këtu, se është dhe një personazh tjetër pas kësaj historie suksesi, por nuk ke çfarë bën, jo të gjithë dalin nëpër libra, nëse do ishin dakord, unë mendoj që është momenti i duhur që ne të angazhohemi me Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit dhe me Ministrinë e Kulturës dhe me Ministrinë e Mbrojtjes për të financuar një dokumentar me synimin që, jo vetëm të jetë një dokumentar thjesht për konsum të brendshëm këtu, por të jetë një dokumentar për ta çuar nëpër festivale ndërkombëtare dhe pse i solla të treja këto ministri? Jo thjesht për çështjen e buxhetit, por sepse janë tre ministri të lidhura me këtë histori.

Kjo, e thashë dhe në fillim, kjo nuk është një histori e thjeshtë sporti; kjo është një histori kulture, kjo është një histori edukimi, kjo është dhe një histori që lidh nëpërmjet dy vajzave sot e mësova që Majlinda nuk qenka akoma. Po, duhet patjetër dhe do ta bëjmë Majlindën menjëherë sepse është nder i madh për Forcat tona të Armatosura, është nder i madh për ne që ta kemi dhe Majlindën, por kjo është thjesht çështje vlerësimi, çështje mbështetje e gjithë këtyre kampionëve që janë vajzat që janë këtu, por dhe që i kishim sot disa për t’i krijuar një lehtësi financiare gjithë jetën sepse do vazhdojmë të trajtohen nga Ministria e Mbrojtjes në bazë të ligjit që ne kemi bërë si ushtarakë të lartë në grada të larta sipas medaljeve, por edhe në pension e pastaj do ta marrin pensionin si të kenë shërbyer në Forcat e Armatosura, por është dhe një aspekt tjetër përveç këtij aspekti.

Ne duam që kur këto të shkëputen ose kur të gjithë këta, se janë dhe të tjerë, nga angazhimi i drejtpërdrejtë me sportin dhe nuk do jenë oficerë që do futen në ushtri, por dëshirojmë të jenë mentorë të ushtarakëve të rinj, të jenë mentorë të Forcave tona të Armatosura, të Akademisë së Rendit sepse kanë forcën e një shembulli të madh suksesi, disipline, vullneti, ambicie, durimi, por nga ana tjetër, kanë një eksperiencë të jashtëzakonshme stërvitjeje fizike.

***

E vërteta e do që në fakt të thuhet që këta e kanë çuar flamurin e Kosovës edhe në mes të Rusisë me forcën e talentit dhe të këmbënguljes së tyre, por kjo nuk e fajëson politikën e Kosovës. Në rastin konkret, sporti, kultura hapin rrugë që politika nuk i hap dot vet dhe krijojnë kushte për shumë njerëz që përndryshe s’do e kishin dëgjuar kurrë Kosovën, që përndryshe s’do e kishin dëgjuar kurrë Shqipërinë, që nuk janë konsumatorë të politikës ndërkombëtare, nuk janë konsumatorë lajmesh të jashtme. Për cilën arsye për shembull japonezët do dëgjonin Kosovën? Flas për atë audiencë të sportdashësve në lojërat olimpike apo për cilën arsye të tjerë nëse nuk do ishin këto mundësi që krijon sporti përmes talenteve të veta.

Dua ta mbyll, meqë u përmend këtu qendra sportive, kemi një projekt të madh me KOKSH-in për të ndërtuar një qendër olimpike moderne, kemi gjetur edhe terrenin besoj. Kemi pasur dy tre opsione, por besoj që tani kemi një ide të qartë se ku dhe ajo Qendër Kombëtare Olimpike do jetë qendër kombëtare për Shqipërinë dhe për Kosovën, kështu e kemi të konceptuar ku të gjitha ekipet kombëtare që kanë kompeticione për të cilat duhet të grumbullohen dhe të zhvillojnë stërvitjet e tyre me të gjitha kushtet, me palestrën, me hotelin, me gjithë fitness-in, sallat e rekreacionit plus pishinën e të gjitha, të kenë mundësi ta bëjnë këtë gjë në këtë qendër olimpike,

Është një projekt i madh dhe ambicioz por ne do ta realizojmë me patjetër dhe ndërkohë nuk diskutohet që do ishte fantastike sikur drejtori të merrte, si të thuash, të mbikëqyrte një rrjet më të madh sportistësh, por kjo sigurisht varet nga shumë gjëra që unë nuk jam në gjendje t’i di dhe t’i them dhe tani na takon që të bëjmë filmin për audiencën ndërkombëtare, na takon që të rekrutojmë Majlindën në Forcat e Armatosura, bashkë me këta kampionët që i kishim sot, u dhamë gjithë ato yje mirënjohjeje dhe sapo dëgjuam që i paskemi harruar dhe e treta, t’i japim Dritonit pasaportën, meqë gruaja e mori për vete dhe nuk u kujtua për burrin.

Shumë faleminderit!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!