Kryeministrja estoneze: Nuk ka paqe me kushtet e Putinit

schedule10:13 - 12 Dhjetor, 2022

schedule 10:13 - 12 Dhjetor, 2022

Nga Kaja Kallas, Foreign Affairs

Përktheu Sonila Backa-abcnews.al

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës nuk ka qenë kurrë vetëm për Ukrainën, por bëhet fjalë gjithashtu për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe arkitekturën e sigurisë së Europës.

Në dhjetor 2021, Kremlini i dha NATO-s dhe Bashkimit Europian një ultimatum: t’i jepet fund politikës së dyerve të hapura të NATO-s dhe të kufizohet e drejta e saj për vetëmbrojtje duke u përmbajtur nga vendosja e forcave dhe armëve në vendet që iu bashkuan aleancës pas vitit 1997 ose do të rrezikonin të përfshiheshin në një luftë të përgjithshme.

Që atëherë, tmerret që ne mendonim se i përkisnin historisë kanë ndodhur sërish në Europë. Rusia po zhvillon një luftë gjenocidale në Ukrainë, duke tronditur botën me përmasat e krimeve të saj të luftës.

Putin po synon civilët, po shkatërron infrastrukturën civile dhe po përdor vrasjet masive, torturat dhe përdhunimet si armë lufte, raporton abcnews.al.

Ky nuk është një aksident, por një veçori e luftës ruse.

Kremlini e ka bërë të qartë se dëshiron të fshijë Ukrainën nga harta. Pretendimi i tij i rremë për “denazifikimin” është i ngjashëm me gjenocidin. Në zonat që trupat ukrainase kanë çliruar nga pushtimi rus, ka dëshmi të vrasjeve masive, torturave, përdhunimeve dhe dëbimeve në Rusi.

Strategjia e Rusisë është ndërtuar rreth dy armëve: dhimbjes dhe frikës.

Kremlini synon t’i shkaktojë dhimbje Europës duke e uritur nga energjia dhe të ngjallë frikën e një lufte bërthamore. Ideja është të detyrojë Ukrainën dhe partnerët e saj në një marrëveshje paqeje të parakohshme.

Pavarësisht dhimbjes, Europa mund të durojë dhe madje të përparojë. BE-ja dhe vendet e saj anëtare e kanë kuptuar se nuk mund të varen më nga lëndët djegëse fosile ruse dhe po zhvendosen me shpejtësi drejt burimeve të tjera të energjisë, raporton abcnews.al.

Në lidhje me frikën, le të kujtojmë atë që tha Presidenti i SHBA-së Franklin Roosevelt në vitin 1933: “Nëse lejojmë që shantazhi bërthamor të funksionojë edhe këtë herë, ne do të zgjohemi në një botë shumë më të rrezikshme.”

Tani nuk është koha për të nxitur një paqe të parakohshme. 

Nëse Rusia nuk heq dorë nga qëllimi i saj për të marrë në kontroll territore të reja në Ukrainë, bisedimet e paqes do të jenë të zbehta. Si kryeministre e Estonisë, një vend i vijës së parë të NATO-s që duroi gjysmë shekulli pushtim sovjetik, e di se çfarë do të thotë realisht paqja në kushtet e Rusisë.

Paqja ruse nuk do të nënkuptonte fundin e vuajtjeve, por më tepër mizori. E vetmja rrugë drejt paqes është tërheqja e Rusisë nga Ukraina.

Në rajonin e Balltikut, ne e kujtojmë me dhimbje pushtimin rus. Imperializmi dhe kolonializmi janë ideologjitë e Kremlinit dhe kanë qenë shumë kohë përpara 24 shkurtit 2022, kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Rusia i mbulon veprimet e saj armiqësore me pretendime për të “çliruar” njerëzit – njerëzit që nuk kanë kërkuar në fakt kurrë çlirimin. Dhe Kremlini përpiqet të justifikojë zellin e tij duke i kujtuar botës rolin e Bashkimit Sovjetik në mposhtjen e Gjermanisë naziste.

Ajo që Rusia po neglizhon është se Bashkimi Sovjetik, së bashku me aleatin e saj të atëhershëm, Gjermaninë naziste, filluan Luftën e Dytë Botërore.

Megjithëse Bashkimi Sovjetik përfundimisht u shemb, ideologjia e tij imperialiste nuk u shemb. Në Estoni, librat tanë të historisë u rishkruan pas përfundimit të sundimit sovjetik, por nuk ndodhi e njëjta gjë në Rusi.

Dhe megjithëse krimet naziste janë dënuar dhe gjykuar pa mëdyshje para gjykatave, krimet komuniste nuk janë dënuar. Rusisë nuk i është dashur kurrë të pranojë të kaluarën e saj brutale ose të mbajë pasojat e veprimeve të saj. Ne kishim gjykatat e Tokios dhe Nurembergut, por nuk kishte kurrë një gjykatë në Moskë.

Në vend të kësaj, presidenti rus Vladimir Putin ka ringjallur stalinizmin, në fakt, në mënyrë kaq efektive, sa në vitin 2019, 70% e rusëve mbrojtën Stalinin dhe politikat e tij, sipas një sondazhi të Levada Center.

Nëse njerëzit admirojnë një diktator, nuk ka asnjë pengesë për t’iu nënshtruar një tjetri. Nëse mendjet dhe sytë e njerëzve janë të mbyllura ndaj mizorive të së kaluarës nuk ka kufi për të kryer të reja.

Kjo na ndihmon për të shpjeguar krimet brutale të ushtarëve rusë në Ukrainë.

Presidenti amerikan Ronald Reagan me të drejtë iu referua Bashkimit Sovjetik si një “perandori e keqe”. Megjithatë, shumë nuk e sfiduan Rusinë, e cila e shpalli veten pasuese të kësaj perandorie të keqe dhe mori vendin e saj të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku ajo mbështeti me krenari të këqijat e Bashkimit Sovjetik. Me përdorimin e forcës në Gjeorgji, Moldavi, Siri, Ukrainë dhe gjetkë, Rusia ka treguar se e ka përvetësuar këtë të keqe.

Mosndëshkimi i Rusisë ka minuar paqen dhe sigurinë europiane dhe pushtimi i plotë i Ukrainës është një shembull i qartë i kësaj. Estonia ndan një kufi dhe një histori të gjatë me Rusinë.  Vendet e mëdha mund të bëjnë gabime dhe të mbijetojnë. Por ato të voglat kanë një diferencë shumë më të vogël gabimi.

Për ne, nevoja për të ndalur agresionin rus në Ukrainë është një çështje ekzistenciale. Pas Luftës së Dytë Botërore, ne estonezët humbëm gjithçka nga terrori sovjetik: humbëm territorin, lirinë dhe një të pestën e popullsisë sonë. Ne u harruam dhe u braktisëm pas perdes së hekurt për gjysmë shekulli.

Ne kemi mësuar disa gjëra nga kjo histori.

Së pari, ju duhet të luftoni për lirinë tuaj, pavarësisht nga shanset, sepse të mos luftosh është shumë më keq.

Sot, ukrainasit po i provojnë të njëjtën gjë botës.

Së dyti, nëse doni paqe, duhet të përgatiteni për luftë. Estonia ka shpenzuar dy për qind të PBB-së së saj për mbrojtje për shumë vite. Duke filluar nga viti i ardhshëm, shpenzimet e Estonisë për mbrojtjen do të jenë afërsisht tre përqind të PBB-së.

Ne po dyfishojmë përmasat e mbrojtjes sonë territoriale dhe po rrisim shtrirjen e forcave tona të armatosura duke përvetësuar armë të reja, duke përfshirë sistemet e raketave me rreze të gjatë veprimi.

Më në fund, duhet të ndiqni moton “Kurrë më vetëm”. Kur ne fituam pavarësinë tonë në 1991 pas 50 vitesh pushtim, vendosëm se nuk do të ishim më pa miq dhe aleatë.

Kjo është arsyeja pse ne u bashkuam me BE dhe NATO.

Shumë vende të Europës Qendrore dhe Lindore bënë të njëjtën gjë, duke kërkuar siguri nga agresioni rus, dhe tani Suedia dhe Finlanda do t’i bashkohen gjithashtu aleancës, një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Ata që fajësojnë NATO-n për provokimin e Rusisë nëpërmjet “zgjerimit” apo “përshkallëzimit” po propagandon ideologjinë perandorake të Kremlinit. Që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë të agresionit të Rusisë në Ukrainë, qeveria ime e ka mbështetur Ukrainën ushtarakisht, ekonomikisht dhe politikisht.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara janë mbështetësi më i madh i Ukrainës në terma monetare, Estonia është mbështetësi i saj më i madh në terma për frymë. Pavarësisht se nuk është fqinji i drejtpërdrejtë i Ukrainës, Estonia ka qenë gjithashtu ndër vendet më mikpritëse për refugjatët ukrainas në terma për frymë.

Ne kemi kërkuar të rrisim koston e agresionit duke izoluar Rusinë dhe duke udhëhequr thirrjen për përgjegjësi. Si rezultat, Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian, njoftoi kohët e fundit se BE-ja do të ndihmojë në krijimin e një gjykate të specializuar për të gjykuar krimet e Rusisë, përfshirë krimin e agresionit, raporton abcnews.al.

Estonia ka dërguar gjithashtu hetues në Ukrainë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për të siguruar që kriminelët e luftës të mbajnë përgjegjsi. Duke filluar nga dhjetori 2021, Estonia dërgoi armë, duke përfshirë armë antitank Javelin, në Ukrainë që luajtën një rol kyç në betejën e Kievit disa muaj më vonë.

Fatkeqësisht, na u desh më shumë kohë për të dorëzuar sistemet e artilerisë që i duheshin Ukrainës. Këtë vit, shumë vende kanë bërë kthesa historike dhe kanë vendosur të dërgojnë armatime në Ukrainë.

Por nëse ne dhe vendet e tjera demokratike do të kishim dërguar armët dhe municionet që po dërgojmë tani në janar ose shkurt 2022, shumë persona do të kishin shpëtuar.

Ne duhet të mësojmë nga kjo tani dhe t’i japim Ukrainës të gjithë ndihmën ushtarake që i nevojitet për të fituar këtë luftë.

Bota e lirë nuk duhet të zvogëlojë mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën ose të kërkojë të ngrijë konfliktin për të ndjekur bisedimet e paqes. Çdo pauzë në luftime tani do t’i shërbente vetëm interesave ushtarake të Rusisë. Kjo do të lejonte që forcat ruse të pushonin dhe të rigrupoheshin, vetëm për të vazhduar agresionin e tyre më vonë.

Në fund të fundit, komuniteti ndërkombëtar pati shansin për të penguar agresionin e ardhshëm rus në vitin 2008, pas pushtimit të Gjeorgjisë, dhe përsëri në 2014, kur Rusia pushtoi dhe më pas aneksoi ilegalisht Krimenë.

Ky vit ka treguar se ushtria ruse mund të mundet dhe se Ukraina është e aftë të fitojë luftën.

Por për të fituar, Ukraina ka nevojë për mbështetjen tonë ushtarake, politike, morale dhe financiare. Fitorja e Ukrainës do të thotë një tërheqje e trupave rusë nga Ukraina. Do të thotë një Ukrainë e pavarur, demokratike dhe e lirë të zgjedhë politikën dhe aleancat e saj të jashtme.

Fitorja e Ukrainës nënkupton gjithashtu përgjegjësi të plotë për kriminelët e luftës, përfshirë ata që janë përgjegjës për krimet kundër Ukrainës. Dhe kjo do të thotë se agresori do të paguajë për gjithçka që ka shkaktuar.

Për këtë qëllim, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë historike në nëntor ku thuhej se Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për luftën e saj kundër Ukrainës, raporton abcnews.al.

Rezoluta pranoi gjithashtu nevojën që Rusia të dëmshpërblejë për dëmet e shkaktuara nga shkeljet e saj të së drejtës ndërkombëtare.

Vetëm kjo lloj fitoreje mund të garantojë paqen dhe sigurinë për vendet në mbarë botën.

Përveçse të ndihmojmë Ukrainën të fitojë, ne duhet ta ndihmojmë vendin të integrohet në komunitetin euroatlantik. Ne duhet të ndihmojnë Ukrainën të anëtarësohet në BE dhe NATO.

Së fundmi, vendet europiane nuk duhet të ndalojnë kurrë forcimin e mbrojtjes së tyre. Rusia po bën një luftë hibride, jo vetëm në Ukrainë, por në Europë dhe më gjerë.

Kremlini shpreson se çmimet e larta të energjisë dhe flukset e refugjatëve do të dobësojnë mbështetjen publike për Ukrainën në Eropë dhe do të reduktojnë ndihmën për Ukrainën. Rusia po përhap dezinformata, po ndërhyn në zgjedhje, po kryen sulme kibernetike. Liria nga varësia nga Rusia do të thotë liri nga shantazhet ruse.

Ajo që është në rrezik në Ukrainë nuk është vetëm ekzistenca e Ukrainës, por arkitektura e sigurisë së Europës, me parimet e saj thelbësore të integritetit territorial, sovranitetit dhe ndalimit të përdorimit të forcës.

Ne nuk mund të lejojmë që parimet themelore të Kartës së OKB-së dhe arkitektura europiane e sigurisë të shkelen. Për këtë arsye, Ukraina duhet të fitojë, Rusia duhet të dështojë dhe kriminelët e luftës duhet të përballen me drejtësinë.

Asnjë paqe para arritjes së këtyre qëllimeve nuk mund të garantojë sigurinë e askujt.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!