Kryeministri i Polonisë ka akuzuar presidentin rus Vladimir Putin se qëndron pas krizës së emigrantëve në kufirin Bjellorusi-Poloni. Mateusz Morawiecki tha se udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, një aleat i ngushtë i Putin, po orkestron krizën, por “truri është në Moskë”, shkruan BBC
Udhëheqësi i Bjellorusisë Alexander Lukashenko ka mohuar pretendimet se po dërgon emigrantë përtej kufirit në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e BE-së. Pamjet tregojnë turma njerëzish pranë një gardhi kufitar me gjemba. Disa prej tyre përpiqen të kalojnë me forcë ndërsa rojet polake i largojnë me gaz lotsjellës.
Shumë nga emigrantët janë të rinj, por mes tyre ka gra dhe fëmijë, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Azia. Temperaturat gjatë natës në kufi kanë rënë nën zero dhe disa njerëz kanë vdekur gjatë javëve të fundit.
Duke folur të martën në një seancë urgjente parlamentare Morawiecki tha: “Ky sulm që po kryen Lukashenko ka trurin e tij në Moskë, organizatori është Presidenti Putin”. Ai akuzoi liderët rusë dhe bjellorusë se po përpiqen të destabilizojnë Bashkimin, duke lejuar emigrantët të udhëtojnë përmes Bjellorusisë dhe të hyjnë në bllok, raporton abcnews.al
Morawiecki e përshkroi situatën si “një lufte në të cilën njerëzit po përdoren si mburoja njerëzore” dhe tha se Polonia po organizonte një “loje skenike” e cila po krijon kaos në BE. Ai shtoi se ishte hera e parë në 30 vite që siguria kufitare e Polonisë ishte “sulmuar brutalisht”.
Polonia ka vendosur trupa shtesë në kufi dhe ka paralajmëruar për një përshkallëzim të mundshëm “të armatosur”, nga frika se Bjellorusia mund të përpiqet të provokojë një incident. Polonia, Lituania dhe Letonia, të cilat janë të gjitha pjesë e BE-së, kanë konstatuar një rritje të numrit të njerëzve që përpiqen të hyjnë ilegalisht në vendet e tyre nga Bjellorusia gjatë muajve të fundit. Të martën, Lituania shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin e saj me Bjellorusinë, e cila hyri në fuqi në mesnatë.
BE, NATO dhe SHBA kanë akuzuar Bjellorusinë për krizën e emigrantëve. Komisioni Europian ka akuzuar Lukashenkon se ka nxitur emigrantët duke i premtuar se do të hyjnë lehtësisht në BE, si pjesë e një “qasjeje çnjerëzore, të stilit gangster”.
Brukseli, nga ana tjetër i cilësoi veprimet e tij një shenjë hakmarrje ndaj sanksioneve të BE-së, të cilat u vendosën pas rizgjedhjes së tij.
Aktivistët thonë se emigrantët po përdoren si pengje në një lojë politike midis Bjellorusisë dhe BE-së.
/abcnews.al