Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre në një deklaratë të mërkurën, ku foli për njohjen e shtetit palestinez tha se nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme pa Palestinën.
Gahr Støre tha se vendi skandinav do të njohë zyrtarisht shtetin palestinez në 28 maj.
Disa vende të BE-së kanë deklaruar javët e kaluara se planifikojnë të njohin shtetin palestinez, duke argumentuar se një zgjidhje me dy shtete është thelbësore për paqen e qëndrueshme në rajon.
Sipas AP, Norvegjia, e cila nuk është anëtare e BE-së, por pasqyron lëvizjet e saj ka qenë një mbështetëse e zjarrtë e një zgjidhjeje me dy shtete midis Izraelit dhe palestinezëve.
Njohja e shtetit të Palestinës nga Norvegjia vjen më shumë se 30 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë të Oslos në 1993.
Që atëherë, “palestinezët kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt një zgjidhjeje me dy shtete,” tha qeveria norvegjeze.
Ai tha se Banka Botërore përcaktoi se Palestina kishte përmbushur kriteret kryesore për të funksionuar si shtet në vitin 2011, se institucionet kombëtare janë ndërtuar për t’i ofruar popullatës shërbime të rëndësishme.
“Lufta në Gaza dhe zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor ende nënkuptojnë se situata në Palestinë është më e vështirë se sa ka qenë në dekada,” tha qeveria norvegjeze.
/abcnews.al