Kryeministri kanadez akuzon Kinën për ndërhyrje në zgjedhje

schedule08:27 - 8 Nëntor, 2022

schedule 08:27 - 8 Nëntor, 2022

Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka akuzuar Kinën se është përpjekur për të ndërhyrë në zgjedhjet e vendit. Trudeau akuzoi Pekinin se po luante “lojëra agresive” me demokracitë dhe se po synonte institucionet kanadeze, sipas BBC.

Ky reagim vjen pasi mediat lokale raportojnë se inteligjenca kanadeze identifikoi një “rrjet klandestin” të kandidatëve të mbështetur nga Pekini në zgjedhjet e fundit. Të paktën 11 kandidatë u mbështetën nga Kina në zgjedhjet federale të vitit 2019.

Duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të inteligjencës, transmetuesi lokal Global Neës raportoi se Pekini kishte drejtuar fonde për kandidatët dhe se operativët kinezë kishin vepruar si këshilltarë të fushatës për shumë kandidatë.

Në një rast, financimi prej 250,000 dollarë kanadezë u drejtua përmes zyrës së një deputeti provincial me bazë në Ontario.

Operacioni, i cili thuhet se u drejtua nga konsullata e Kinës në Toronto, gjithashtu kërkoi të vendoste operativë brenda zyrave të deputetëve që shërbenin në një përpjekje për të ndikuar politikën.

Përpjekja për ndërhyrje besohet të ketë shënjestruar të dyja partitë kryesore politike, partinë liberale të Trudeaut dhe partinë opozitare Konservatore. Megjithatë, është e paqartë nëse operacioni ishte i suksesshëm.

Muajin e kaluar, Policia Mbretërore Kanadeze tha se po hetonte raportet për “veprimtari kriminale në lidhje me të ashtuquajturat stacione “policie”, të cilat janë raportuar gjithashtu në një numër vendesh europiane.

Disa shtete të BE-së, përfshirë Irlandën dhe Holandën, kanë urdhëruar tashmë Kinën të mbyllë postet e policisë, të cilat thuhet se janë përdorur për të bërë presion ndaj kundërshtarëve të qeverisë që të kthehen në Kinë dhe të përballen me akuza penale.

Mediat holandeze gjetën prova se të ashtuquajturat stacione shërbimi jashtë shtetit, të cilat premtojnë të ofrojnë shërbime diplomatike, po përdoreshin për t’u mbyllur gojën disidentëve kinezë në Europë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!