Kryeministri izraelit në gjyq përballë 3 akuzave

schedule13:52 - 8 Shkurt, 2021

schedule 13:52 - 8 Shkurt, 2021

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u shfaq në sallën e gjyqit ku duhet të përgjigjet për akuzat për korrupsion, mashtrim dhe abuzim me pushtetin. Kryeministri u tregua i përpiktë në orar.

Është hera e dytë, që në këtë proces Netanyahu ulet në vendin e të akuzuarit, pas seancës së parë në 24 maj të një viti më parë. Mes çështjeve në rend dite në seancë do të jetë dhe vendimi për të shtyrë gjyqin pas zgjedhjeve të 23 marsit në vend apo nëse seanca mund të zhvillohet edhe pa praninë e kryeministrit në sallë.

Avokatët e tij disa herë janë përpjekur të shtyjnë procesin duke denoncuar sjelljen  e prokurorisë, duke kërkuar ndryshimin e akuzave si dhe me pretendimin se policia ka mbledhur provat kundër tij, në mënyrë të paligjshme. Vetë Netanyahu  në seancën e parë në muajin maj, sulmoi sistemin gjyqësor, duke pretenduar se akuzat ndaj tij ishin sajuar.

Janë tre çështjet në të cilat ai është përfshirë: e para ka të bëjë me akuzën se ai ka pranuar një dhuratë prej 260 mijë eurosh nga ana e miliarderit Arnon Milkan dhe manjatit australian Xhejms Paker.

Çështja e dytë ka të bëjë me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje me botuesit e një të përditshmeje në vend për të pasur një mbulim mediatik pozitiv për ndryshimin e një ligji.

Ndërsa çështja më serioze është ajo me akuzën e korrupsionit. Netanyahu dyshohet se ka negociuar kur ishte kryeministër dhe ministër i telekomunikimit 2015 – 2017 për të pasur një mbulim mediatik pozitiv, në shkëmbim të politikave të favorshme qeveritare për pronarin e website Ualla./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!