Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi të premten, 24 prill, se është diagnostikuar me kancer të prostatës.
Në një deklaratë publike, ai bëri të ditur se i është nënshtruar trajtimit përkatës, i cili ka rezultuar i suksesshëm dhe ka eliminuar plotësisht problemin, pa lënë gjurmë.
“Sot u publikua raporti im vjetor mjekësor. Kërkova që publikimi i tij të shtyhej me dy muaj, në mënyrë që të mos përkonte me kulmin e luftës dhe të mos i jepte mundësi regjimit terrorist iranian të përhapte propagandë të rreme kundër Izraelit”, deklaroi ai.
BBC raporton se Netanyahu theksoi se bëhej fjalë për një problem të vogël shëndetësor në prostatë, i cili është trajtuar plotësisht. “Falë Zotit, e kam kaluar këtë situatë”, u shpreh ai, duke shtuar se ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe në “formë të shkëlqyer fizike”.
Ai rikujtoi gjithashtu se rreth një vit e gjysmë më parë kishte kryer me sukses një ndërhyrje kirurgjikale për zmadhim beninj të prostatës. Gjatë kontrolleve të fundit mjekësore, sipas tij, është konstatuar një njollë e vogël, më pak se një centimetër, në këtë organ.
“Pas ekzaminimeve të mëtejshme, u konfirmua se bëhej fjalë për një fazë shumë të hershme të një tumori malinj, pa shenja përhapjeje apo metastazash”, përfundoi Netanyahu.