Kryeministri Hoti dhe Haradinaj përplasen për Task-Forcën e Kosovës

schedule21:38 - 24 Tetor, 2020

schedule 21:38 - 24 Tetor, 2020

Vendimi i marrë nga Qeveria për shuarjen e Task-Forcës Anti Korrupsion përplasi partnerët e koalicionit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj doli hapur kundër vendimit të qeverisë, duke theksuar se do të shkaktojë pasiguri juridike dhe mund të kuptohet si ndërhyrje politike e po ashtu edhe hakmarrje ndaj proceseve të pavarura.

Qëndrimet e tij, Haradinaj i shprehu edhe përmes rrjeteve sociale.

Edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti iu kundërpërgjigj Haradinajt duke thënë se politika nuk duhet të përzihet në drejtësi dhe se në këtë drejtim janë edhe vendimet e qeverisë.

Emrin e Haradinajt nuk e përmendi, por kryeministri e vazhdoi dialogun e rrjeteve sociale duke sugjeruar që të përdoren mjetet ligjore për dyshimet e secilit, ndërkohë që zyrtarët e Task-Forcës tha se do të vazhdojnë punën sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale.

Task-forca që u shua ditë më parë funksionoi për një dekadë si pjesë e Policisë. Ajo kishte si qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale që përfshinin zyrtarë të lartë politikë.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!