Kryeministri britanik Boris Johnson do të telefonojë presidentin rus Vladimir Putin dhe do të vizitojë Evropën Lindore në ditët në vijim, ndërsa Mbretëria e Bashkuar rrit përpjekjet e saj diplomatike për të zgjidhur krizën kufitare me Ukrainën. Zyra e kryeministrisë tha se kryeministri do të përsëriste nevojën që Rusia të “angazhohet diplomatikisht” kur të flasë me Putin këtë javë. Ai do të “përsëritë nevojën që Rusia të tërhiqet”, shtoi zyra e kryeministrit.
Johnson ka thënë se Britania e Madhe mund të vendosë trupa për të mbrojtur aleatët e NATO-s nëse Rusia pushton Ukrainën. Rusia, e cila ka mohuar se planifikon të pushtojë Ukrainën ka vendosur rreth 100,000 trupa, tanke, artileri dhe raketa pranë kufirit të Ukrainës raporton “BBC”. Është hera e parë që nga Lufta e Dytë Botërore që Rusia ka lëvizur trupa nga lindja e vendit në kufirin me Ukrainën.
Johnson u ka kërkuar shefave të ushtrisë dhe sigurisë t’i japin atij më shumë opsione për të zbutur atë që Downing Street e ka quajtur “agresion në rritje rus”. Këtë fundjavë, kryeministri po shqyrton këto opsione duke përfshirë vendosjen e më shumë trupave britanike në vendet e NATO-s në rajon. Të hënën, Ministria e Jashtme pritet të njoftojë në Parlament një ashpërsim të regjimit të sanksioneve, i cili do t’i mundësonte Mbretërisë së Bashkuar të synonte interesat ruse.
Javën e kaluar, Johnson i’u bashkua një telefonate me presidentin amerikan Joe Biden, liderët evropianë dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Gjatë telefonatës, udhëheqësit ranë dakord “që bisedimet diplomatike me Rusinë mbetën prioriteti i pare”, tha Downing Street. Një zëdhënëse e Downing Street tha: “Kryeministri është i vendosur të përshpejtojë përpjekjet diplomatike dhe të rrisë parandalimin për të shmangur gjakderdhjen në Evropë”. / abcnews.al