“Kryeministër që sillej si në opozitë”: Gazetarja flet për rrëzimin e shpejtë të Albin Kurtit

schedule11:54 - 29 Maj, 2020

schedule 11:54 - 29 Maj, 2020

Gjykata Kushtetuese i dha mbrëmjen e djeshme të drejtë Presidentit Hashim Thaçi, ku kërkohet që i mandatuari për kryeministër nga kreu i shtetit Avdullah Hoti të krijojë qeverinë e re.

Për të folur për situatë politike në Kosovë ishte në studio me Juli Xhokaxhi, gazetarja e Abc News, Linda  Karadaku. Sipas gazetares Vetëvendosje bëri gabime me veprimet dhe vendimet e saj.

“Vetëvendosje bëri gabime në hapa dhe një ndër gabimet që solli këtë krizë, ishte frikësimi që i bëri klasës politike por edhe një pjese te elektoratit. Qoftë me deklaratat, qoftë me protestat në kohë pandemie. Madje dhe dalja e Kurtit për të përshëndetur protestuesit shkaktoi kundër reagim. Qëndrimi i VV u kthye në bumerang për vetë VV.

Ramush haradinaj ishte kundër projektit për shkëmbim territoresh. Por nuk di një deklaratë të vetme që Haradinaj të dalë kundër ndonjërit prej ndërkombëtarëve. Por në momentin që del kundër siç e bëri Kurti krijon situatë tjetër”, tha ajo.

Karadaku thekson më tej se Albin Kurti ishte kryeministër dhe u soll si opozitë. Një gjë e tillë solli edhe rrëzimin e shpejtë të tij.

“Kurti ishte kryeministër dhe u soll si në opozitë. U përpoq por jo në kohën e duhur. Nëse vërtet donte që të bënte atë që kërkonte komuniteti ndërkombëtar heqjen e taksës. Mund ta kishte bërë që në fillim. Fakti që u bë në kohën e gabuar e dëmtoi vetë Kurtin. Problemi më i madh për mua për Albinin është se duke qenë kryeministër u soll si të ishte në opozitë. Nuk dinte apo nuk mundi të krijonte aleanca apo aleatë. Në qeverisje nuk mund të jesh vetëm. Kjo do të thotë që ti nuk mund të bazohesh vetëm te Vjosa Osmani dhe të prishë mërrëdhëniet me LDK-në”, tha gazetarja. /abcnews.al