Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka deklaruar se inceneratorët ishin shkaku që opozita bojkotoi zgjedhjet lokale.
Në një intervistë për Radar Informativ me Jonida Shehun, Kryemadhi drejtoi pyetjen, siç tha ajo për SPAK dhe klasën politike dhe theksoi se rezulton që inceneratorët kanë qenë sponsorizues për ta nxitur opozitën drejt bojkotit të zgjedhjeve lokale.
“Edhe TK e mbani mend ishte një nga kauzat më të rëndësishme edhe pse e gjithë opozita ishte e përfshirë. Ishte kauza kombëtare, dhe më pas edhe inceneratorët ashtu është. A janë inceneratorët sponsorizuesit kryesor të bojkotit të zgjedhjeve lokale? Po ia bëj puyetjen edhe SPAK edhe klasës politike. Rezulton që inceneratorët kanë qenë sponsorizues për ta nxitur opozitën drejt bojkotit të zgjedhjeve lokale”, – deklaroi Kryemadhi.
“Kemi një kryetar bashkie ne Tiranë që ka firmosur një buxhet dhe ka marrë një vendim në emër të Këshillit Bashkiak ku ka shkelur nenin 54 të ligjit për vetëqeverisjen vendore që ka marrë përsipër dhe ka firmosur në emër të Këshillit Bashkiak një angazhim financiar për 30 vjet, të cilin do ta paguajnë qytetarët e Tiranës. Mund të më thoni cili do të jetë momenti që do të thirret Erion Veliaj në SPAK do të jetë kryetar bashkie apo do të jetë i shkarkuar nga Rama? Ju duket normale që një kryetar bashkie që merr një angazhim financiar për 30 vjet në emër të këshillit bashkiak. Kur ju e dini shumë mirë që qytetarët shqiptarë kanë shkuar në burg dhe janë dënuar 4-5 vjet për 10 mijë lekë energji elektrike që nuk kanë paguar”, shtoi kryetarja e LSI më tej.
E pyetur nëse inceneratorët kanë paguar kryetari e PD për të ndenjur jashtë zgjedhjeve, Kryemadhi tha: “Unë nuk pretendoj që të ketë faturë me nipt dhe numër serie. Por SPAK është…ka përshtypjen ka aq dokumente, që ia ka vënë në dispozicion LSI.”
Sakaq, ngritjen e Komisionit Hetimor për inceneratorët nga Partia Demokratike, Kryemadhi e quan si veprim për të zvarritur çështjen. Sipas saj, LSI i është thënë se është lënë jashtë pasi ka pasur kërkesa edhe nga aleatët e tjerë, por nuk është e vërtetë.
“Ngritja e komisionit hetimor as denoncimit të LSI me padi, firmë e vulë.. ngritja e komisionit është ideja për ta zvarritur. Më pas lënia jashtë e LSI, është se duke qenë prezente është se argumenti ka pasur kërkesa edhe nga aleatët e tjerë, por nuk ka pasur. Është alibi. Për mua komisioni u sajua për të postuar vëmendjen dhe për të dëmtuar nëse SPAK e kishte seriozisht”,-u shpreh ajo. g.v/abcnews.al