Kryebashkiaku në Japoni: Pazarin në kohë pandemie ta bëjnë burrat, gratë vonohen shumë

schedule12:07 - 24 Prill, 2020

schedule 12:07 - 24 Prill, 2020

Kryebashkiaku i një prej qyteteve më të mëdha të Japonisë po përballet me një “lumë” kritikash pasi sugjeroi se pazarin në këtë kohë krize duhet ta bëjnë burrat e jo gratë.

Ichiro Matsui, kryebashkiaku i Osaka-s, u shpreh se burrat janë të mirë për të bërë pazaret gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit, pasi sipas tij, grave u duhet më shumë kohë dhe mund të bëhen shkak për mbipopullim të marketeve.

Matsui deklaroi para gazetarëve gjatë një konference për shtyp:

“Grave u duhet më shumë kohë që të bëjnë pazaret pasi ato shohin një numër të madh produktesh dhe  peshojnë se cili opsion mund të jetë më i miri. Ndërsa burrat shkojnë e marrin atë që u ke thënë dhe nuk rrinë vërdallë nëpër supermarket, kjo eviton kontaktin e afërt me të tjerët.”

Gratë përbëjnë 51% të popullsisë japoneze, sipas të dhënave të Bankës Botërore. Por Japonia renditet e 110-ta nga 149 vendet në indeksin e Forumit Ekonomik Botëror që mat shkallën e barazisë gjinore.

Numri i rasteve të konfirmuara me virusin në Japoni është rritur në javët e fundit duke hedhur poshtë shpresat se reagimi fillestar i qeverisë kishte arritur që të kontrollonte përhapjen e Covid-19.

Deri më tani, Japonia numëron 12,368 të infektuar me koronavirusin dhe 328 viktima. /abcnews.al/