Kryebashkiaku i Nju Jorkut: Nuk ka vend për emigrantët

schedule10:31 - 16 Janar, 2023

schedule 10:31 - 16 Janar, 2023

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut vizitoi El Paso, qytetin kufitar të Teksasit, nga ku deklaroi se “nuk ka vend në Nju Jork” për emigrantët që po mbërrijnë me autobus në qytetin më të populluar të SHBA-së.

Adams, një demokrat, kritikoi gjithashtu administratën e presidentit Joe Biden, duke vënë në dukje se “tani është koha që qeveria federale të bëjë punën e saj” në lidhje me krizën e emigracionit në kufirin jugor të SHBA-së.

Vizita në El Paso erdhi pasi Adams tha të premten se Nju Jorku është “në pikën e kolapsit” pasi një numër rekord i emigrantëve vazhdojnë të mbërrijnë në qytet. Kryetari i bashkisë bëri një kërkesë urgjente tek autoritetet e shtetit të Nju Jorkut gjatë fundjavës për të ndihmuar autoritetet komunale të gjejnë strehim për azilkërkuesit.

Kërkesa e Adams vjen pasi 3,100 azilkërkues mbërritën në Nju Jork javën e kaluar – më shumë se 800 prej tyre vetëm të enjten. Gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryetarin e bashkisë së El Pasos, Oscar Leaser dje, Adams theksoi se ai nuk po fajësonte për përkeqësimin e problemit në asnjë qytet kufitar.

“Ne ia vëmë fajin qeverisë federale,” shpjegoi ai. “Është një problem kombëtar. Duhet të ketë një reformë reale të imigracionit dhe duhet të gjejmë menjëherë një zgjidhje afatshkurtër”, theksoi ai.

Gjatë mujave të fundit, guvernatorët republikanë të Floridës dhe Teksasit kanë dërguar mijëra azilkërkues në qytetet me kryebashkiakë demokratë, duke përfshirë Nju Jorkun, Çikagon dhe Uashingtonin.

Ky fakt ka përkeqësuar krizën që ekziston në Nju Jork dhe ka shtuar numrin e të pastrehëve.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!