Temperaturat janë tepër të larta, por kjo nuk i ka penguar turistët e huaj të vizitojnë Krujën. Rrugët me kalldrëm të qytetit janë plot me të huaj këtë fundjavë.
“Jam nga Spanja dhe vizitojme për herë të parë Shqipërinë. Zgjodhëm Krujën si një ndër qytetet kryesore turistike për t’u njohur me historinë. Vizituam kalanë, muzeun dhe pazarin. Qytet shumë i bukur. Do të vizitojmë gjithashtu dhe Tiranën dhe qytete të tjera historike si Berati”.
“Jam nga Kalifornia. Po bëjmë një tur ballkanik dhe ndaluam edhe ne Shqipëri. Në Krujë na tërhoqi historia e qytetit, ishim tek kalaja dhe muzeu. Gjithashtu kemi provuar ushqimet tradicionale”.
Mes të huajve që mbizotërojnë, qyteti historik preferohet për t’u vizituar edhe nga shqiptarët jashtë vendit, që janë kthyer për pushime në atdhe.
“Në Krujë për herë të parë. Jetojmë në Amerikë. Solla fëmijët për të parë këto kala të mrekullueshme që kemi. Muzeu është fantastik”.
Mbi 80 mijë persona kanë vizituar Krujën vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti, më shumë se dyfishi krahasuar me të njëjtën periudhë e vitit të shkuar.
“Brenda këtij muaji të kanë ardhur 100 mijë. Për këtë vit objektivi që Kruja të arrijë gjysmë milioni”, tha përgjegjësi i zyrës së Turizmit, Bashkia Krujë, Xhuliano Kafexhiu.
Kruja është një nga destiancionet kyçe turistike në Shqipëri. Qyteti vizitohet në çdo periudhë të vitit. Të huajt shprehin interes për historinë e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut si dhe traditën krutane./abcnews.al