Arsid Kruja, mesfushori i Vllaznisë, ka folur në prag të ndeshjes së kthimit me Flamurtarin. Shkodranët e kanë fituar duelin e parë dhe janë në rrugë të mbarë për të mbrojtur trofeun e Kupës së Shqipërisë, që e fituan edhe vjet.
“Normalisht si çdo ndeshje tjetër ne e marrim seriozisht dhe nuk ka ndeshje të lehtë. Flamurtari ka lojtarë cilësorë dhe do të bëjmë maksimumin, si dhe ta marrim shumë seriozisht, që të shkojmë në raundin tjetër. Ne besojmë se do të kalojmë në raundin tjetër dhe të shkojmë në gjysmëfinale. Kjo ndeshje duhet marrë seriozisht.
“Besoj se nesër do të ketë disa ndryshime të vogla, por Vllaznia ka dy formacione. Kushdo që futet në lojë do të bëjë më të mirën e vet. Kupa është objektiv çdo vit. Vjet e fituam dhe shkuam në Europë. Është ndër objektivat kryesorë kupa”.
“Titulli? Me thënë të drejtën nuk mund ta quaj larg, pasi shanset derisa matematika të na lejojë janë të shumta. Edhe ne vjet ishim 12 pikë para, por na iku kampionati. Gjithsesi, duke i marrë ndeshjet seriozisht dhe duke dhënë maksimumin, besoj se çdo gjë mund të arrihet”.
“Jam i kënaqur se i kam shërbyer ekipet, ku ka pasur nevojë, në çdo pozicion. Do të kisha mundur të bëja edhe më mirë. Le të shohim në vazhdim”, u shpreh Kruja. / abcnews.al