Kroos pret “lamtumirën” e Asensio: Nuk mendoj se ai dhe Real Madrid do të vazhdojnë bashkë

schedule10:24 - 30 Maj, 2023

schedule 10:24 - 30 Maj, 2023

Pas një pritje të gjatë, mesfushori gjerman, Toni Kroos dhe “galaktikët” e Real Madrid, mësohet të kenë arritur akordin për zgjatjen e kontratës aktuale, kontratë kjo e cila edhe pse konfirmohet pas “perdeve”, sërish pritet të zyrtarizohet shumë shpejt nga klubi dhe lojtari.

Një gjë të tillë e konfirmoi pak a shumë dhe vetë gjermani, teksa në një intervistë të zhvilluar ditën e djeshme, “thumboi” klubin me shaka, teksa bëri dhe një koment të shkurtër për shokët e tij të skuadrës, Asensio, Nacho e Ceballos, me 3 spanjollët që janë në prag largimi nga “los blancos” pas përfundimit të kontratave aktuale.

“Duhet të pyes sërish klubin kur të duan të zyrtarizojnë rinovimin tim, në një moment do të më duhet të shkoj me pushime!

Është e vështirë të thuhet se çfarë do të ndodhë. Me Asension kam përshtypjen se ata nuk do të vazhdojnë bashkë, nuk e kam idenë për Nachon dhe Ceballos, por kam një parandjenjë pozitive dhe do të isha i lumtur nëse të dy do të qëndronin”,- u shpreh në fjalët e tij, Toni Kroos. /i.m /abcnews.al