Entuziazëm i jashtëzakonshëm në Kroaci pas arritjes në çerekfinalet e Botërorit. Mediat lavdërojnë pa fund portierin Subashiç që priti 3 penallti ndaj Danimarkës.
Ekzistonte frika se do të ndodhte si 10 vjet më parë. Për fat, këtë herë ishte ndryshe nga Euro 2008, kur penalltitë dolën fatale, dhe Kroacia pati fatin me vete deri në çerekfinale.
Publiku festoi çmendurisht në Zagreb, Split e kudo në tokën kroate.
Vetë presidentja Kolinda Grabar Kitaroviç, zbriti në dhomën e zhveshjes së skuadrës në stadiumin e Nizhni Novgorodit, ku përgëzoi futbollistët dhe trajnerin Daliç.
Më pas, Daliç u shfaq para mediave të gjithë botës.
Daliç: “Së pari përgëzime për lojtarët, për fitoren e arritur dhe kalimin mes 8 më të mirëve. Ndeshje vërtet shumë e vështirë, ku treguam karakter, edhe pas pësimit të golit, edhe pas humbjes së penalltive. Në jetë asgjë nuk arrihet pa fat, por unë jam krenar që kam kaluar çdo vështirësi. Ndaj Rusisë, na pret një sfidë edhe më e vështirë, por mundemi për më shumë”.
Ja edhe kapiteni Luka Modriç, që provoi stresin më të madh.
Modriç: “Mesa duket ne nuk mund të fitojmë pa drama të mëdha, por falë Zotit, fati ishte me ne dhe mendoj se e merituam çerekfinalen. Ishte e vështirë pasi humba penalltinë, por e mbajta veten. Isha I bindur se do ta shënoja penalltinë e dytë”.
Mediat, siç pritej, ishin në qiellin e shtatë.
“Jutarnji List”: Subashiçi mbrojti Kroacinë! Dramë ndaj Danimarkës, fitore pas penalltive!
“Veçernji List”: Një hap larg ëndrrës! Heroi Subashiç na shpëtoi nga drama, priti tri penallti dhe na dha mundësi të luftojmë për gjysmëfinalet!
“Slobodna Dalmacija”: Subashiçi na lëshoi drejt Rusisë! Danezët të pafuqishëm përpara oktapodit nga Zadari!
“Sportske Novosti”: Kroacia në superxhiro! Nga gremina, mes 8 më të mirëve në botë! Heroi Danijel Subashiç priti tri penallti! /abcnews.al