Kroacia u trondit sot nga një tërmet i fuqishëm me madhësi 6.4 i shkallës Rihter. Epiqendra ishte disa kilometra larg Zagrebit, ndërsa u ndje përgjatë bregdetit të Adroatikut, përfshirë disa vende në rajon.
Nga të dhënat e deritanishme gjashtë persona kanë humbur jetën për shkak të shembjes së ndërtesave. Qyteti më i goditur nga dridhjet e forta të tokës është ai i Petrinjës. Në këtë qytet raportohet një spital i shembur si dhe një azil. Një 12 vjeçar dhe një 20 vjeçar ishin viktimat e para të konfirmuara pas lëkundjeve të forta.
Një viktimë tjetër u konfirmua në zonën e Majske Poljane, tha Nënkryetari i Komunës Glina Branka Bakšić Mitić. Ai jetonte me bashkëshorten e tij, ndërsa kjo e fundit u shpëtua. Po ashtu viktima mbetën edhe babë e bir në Majske Poljan.
Kryetari i Komunës së Petrinjës, që po vuan rëndë pasojat e tërmetit të sotëm, është shprehur se qyteti është shkatërruar plotësisht. Duke folur për mediat, Darinko Dumbovic e përshkroi atë që i ndodhi qytetit të tij me bombën në Hiroshima ndërsa bëri apel për ndihmë.
“Qyteti im është shkatërruar plotësisht. Na kanë vdekur fëmijë. Është e papërshkrueshme. Kjo është si Hiroshima. Kemi nevojë për zjarrfikës, nuk e dimë se çfarë ka nën rrënoja, një çati ra mbi një makinë, kemi nevojë për ndihmë.”, tha ai.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha se ushtria do të mobilizohet për të mbështetur shërbimet e urgjencës në zonë. “Kjo është tragjedi, por të gjithë janë këtu dhe ne do të sigurojmë të gjithë ndihmën e mundshme,” tha Kryeministri.
Ky është tërmeti më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë në vend. Pamjet tregojnë ndërtesa të shkatërruar në Petrinjë. Ndërkohë, tërmeti i fortë shkaktoi gjithashtu dëmtime në ndërtesën e Parlamentit në Zagreb. g.v/abcnews.al