Krizë energjetike? Shifrat thonë të kundërtën

schedule10:44 - 22 Dhjetor, 2021

schedule 10:44 - 22 Dhjetor, 2021

Nga Adi Darsi

Viti 2021 ka të ngjarë që në mbyllje të tij të rezultoi një ndër vitet më të mira energjetike të Shqipërisë. Për nëntë muajt e parë të vitit kjo është e konfirmuar zyrtarisht. Sipas të dhënave shumëvjeçare të Entit Rregullator të Energjisë, viti 2021 ka të gjitha mundësitë të tejkalojë edhe rekordet e vitit 2018, kur sistemi energjetik i vendit jo vetëm plotësoi nevojat për konsum por edhe eksportoi.

“Alarm i kotë”

A ka mundësi që viti 2021 të jetë një vit krize energjetike. Sigurisht që jo.

Do të kishin mjaftuar shifrat e 9 mujorit që kryeministri Edi Rama të mos jepte alarmin më 3 tetor 2021, duke deklaruar një krizë energjetike të pritshme në Shqipëri. Por kryeministri ka të ngjarë të dinte dicka, pasi e bëri këtë duke mos dhënë detaje mbi gjendjen e brendshme por vetëm duke ju referuar “situatës ndërkombëtare”, pa shpjeguar se si përcillej kriza ndërkombëtare në Shqipëri. Me një deklaratë të transmetuar në median kryesore dhe në Facebook, Rama prezantoi një “Mesazh drejtuar të gjithë shqiptarëve,” ku deklaroi se kriza e re energjetike do të jetë po aq e fortë sa tërmeti dhe pandemia. “Kjo krizë e re na vendos me detyrim-përcaktim para një sprove të re, po aq të fortë sa tërmeti, dhe sa pandemia në aspektin ekonomik e social,” deklaroi Rama.

Shifrat flasin

Në gjashtë vitet e fundit prodhimi i energjisë elektrike në vend ka patur një luhatje shumë të madhe. Në 2017 sistemit ju nevojit të importonte rreth 3 miliard kilovatorë energji, kjo për shkak se prodhimi vendas ishte në nivelet më të ulta.

Pamje krejt e kundërt është ofruar në vitin 2018. Si rrallëherë vendi jo vetëm që nuk importoi energji, por e kundërta ishtë në gjendje të dërgonte në eksport rreth 1 miliard kilovatorë. Një pamje të ngjashme ka patur edhe nëntëmujori i 2021. Prodhimi vendas ka kapur shifrën e 7.3 miliard kilovatorëve, konsumi vendas ka qenë 6.2 miliardë. Kjo do të thotë 1.1 miliard kilovatorë balancë pozitive.

Krizë pra nuk ka patur. Po përse u desh alarmi? Ndoshta për të justifikuar zërin buxhetor për energjinë të përllogaritur në buxhetin e vitit 2022. Madje kjo mund të jetë arsyeja që krahasimi u bë me tërmetin dhe pandeminë, edhe ata dy zëra të rinj në buxhet.

Të flasësh për krizë energjetike në Shqipëri nuk është ndonjë gjë e re. Kujtimet e hidhura të dy  dekadave të fundit janë kthyer në një sindromë frike. Por situate sigurisht që nuk është më si disa vite më parë.

Privatët na shpëtuan

Ndonëse të kundërshtuara me të drejtë për mënyrën se si janë bërë, koncesionet private në energjetikë janë edhe një ndërmarrje e vlefshme. Për të kuptuar këtë mjafton të sjellim në vëmendje shifrat e prodhuara prej tyre në dy vitet e fundit. Sipas të dhënave të ERE, në 2020 hiodrocentralet e vegjël privatë hodhën në system 1.1 miliard kilovatorë energji ekeltrike.

Kësaj shifre i duhen shtuar edhe 1 miliard kilovatorë të prodhuara nga HEC e tjera private të mëdha e të mesme si Ashta, Ulza, Shkopeti, Banja, Moglica etj. Kjo do të thotë se këto subjekte kanë hedhur në rrjet 40 për qind të energjisë së prodhuar në 2020.

Në nëntëmojorin e 2021 shifrat janë edhe më të larta. Prodhuesit e vegjël privatë kanë hedhur në rrjet mbi 1.4 miliard kilovatorë, ndërsa privatët e tjerë më të mëdhenj kanë hedhur mbi 1.4 miliard kilovatorë të tjera. Pra përsëri në prag të 40 për qind të prodhimit vendas. Shifrat flasin qartë, nga kriza ciklike e energjisë na shpëtuan operatorët privatë.

/abcnews.al

 

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!