Krizë e plotë e Milanit dhe Interit

schedule12:54 - 24 Dhjetor, 2017

schedule 12:54 - 24 Dhjetor, 2017

Krizë e plotë për dy skuadrat e mëdha milaneze në Serinë A. Interi dhe Milani pësuan sërish humbje dhe tifozët po akuzojnë lojtarët dhe drejtuesit e klubeve.

Sezoni nisi si pretendent për titull.
Vazhdoi po ashtu, deri në dy ndeshjet e fundit, ku Interi përfundoi shumë keq.
Humbja në fushën e Sasuolos, pas asaj ndaj Udinezes, ishte një goditje e rëndë për shpresat e mëdha të tifozëve dhe për moralin e skuadrës së trajnerit Luçiano Spaleti.
Çfarë i ndodhi skuadrës që dominoi Milanin, Romën e Napolit, që mori pikë në fushën e Juventusit, por që humbi me dy kundërshtarë kaq modestë?
Trajneri Spaleti kërkon të mos e bëjë dramë.

“Për momentin, ne nuk po i shfrytëzojmë dot rastet që krijojmë. Në të kundërt, kundërshtarët kanë qenë më të saktë në shanset e tyre. Duhet të ruajmë qetësinë dhe të punojmë pak më shumë. Po ashtu, duhet të tregojmë karakter për të përballuar situatën e vështirë, kjo është e gjitha. Duhet të tregojmë se jemi profesionistë”.

Gjithsesi, rrjetet sociale tregohen të pamëshirshme me zikaltërit.
Diku vendoset trajneri Spaleti duke thënë që “është faji i Totit”, siç thuhet se bënte tek Roma.
Diku një foto ku Spaleti ngjan me trajnerin e shkarkuar të Milanit, Montelën.
Në një tjetër, Ikardi është me kapuçin e Vitit të Ri, shoqëruar me një “Gëzuar Krishtlindjet”.
Në një postim, duket pronari kinez zikaltër me një të dashur që simbolizon Interin, por me para që i shpenzon kot për të.
Sidoqoftë, Interi është vetëm 5 pikë larg vendit të parë, por ç’mund të thuhet për Milanin?
Kuqezinjtë janë poshtë mesit të tabelës së Serisë A, më afër zonës që të zbret në Serinë B, sesa zonës Champions.
Katastrofa në “San Siro” ndaj Atalantës erdhi pas disfatës së rëndë në fushën e Veronës, dhe krijoi një gjendje thuajse çmendurie, me tifozët që vërshëllyen dhe shanë gjatë gjithë kohës.
Trajneri Xhenaro Gatuzo, ish-ylli i Milanit të madh të viteve 2000, mund të thotë vetëm diçka.

“Sharjet duhet të më drejtohen mua. U them tifozëve që nëse duan të shajnë, ta bëjnë me mua, sepse jam unë kapiteni i kësaj anijeje. Zgjedhjet në skuadër dhe në mënyrën e lojës i bëj unë, ndaj edhe sharjet i meritoj unë. Ndjej përgjegjësinë time për situatën. Gjithsesi, unë nuk jam nga ata që dorëzohem. Kam dëgjuar sikur duhet të jap dorëheqjen, por unë nuk do ta jap kurrë dorëheqjen”.

Të hidhur sulmet në rrjetet sociale edhe për Milanin.
“Duket se e vetmja gjë me vlerë tek Milani paska qenë Montela”, shkruan një komentues duke iu referuar ish-trajnerit.
Një tifoz tjetër tallet duke vendosur një foto të disa pensionistëve në azil, dhe duke e krahasuar me grumbullimin e Milanit. “Në Krishtlindje, llotarinë do ta tërheqë Gatuzo”, shkruan ai.
Ja tallja e radhës: “Skema top të gjatë për Zllatan Ibrahimoviçin, dhe lutje që Ibra të shënojë, vlen vetëm kur Zllatani është në fushë, jo kur nuk është”.
Në mbrojtje të ekipit, pas Gatuzos, edhe drejtori sportiv, Masimiliano Mirabeli.

“Duhet të bëhem unë mburojë për këtë skuadër, pasi jam unë përgjegjësi kryesor. Jam unë ai që u mora me blerjen e lojtarëve, me kontratat. Nuk është faji i lojtarëve. Për çdo gjë duhet të më kritikoni mua. Më vjen keq për këtë situatë dhe kërkoj falje”.

Pavarësisht nga kërkesa e faljes e Mirabelit, as ai nuk u kursye: “Mund të kesh trajnerin më të mirë në botë, mund të marrësh Ançelotin, Sakin apo Kapelon, por nëse ke drejtor sportiv, Mirabelin, gjithçka është e kotë”.

Milani është në momentet më të vështira të historisë, me një ecuri aq të keqe sa në fillim të viteve 80-të kur ra në Serinë B, dhe nuk dihet nëse do të arrijë të reagojë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!