Kriza politike, zyrtari i DASH takon krerët politik

schedule18:16 - 4 Shtator, 2019

schedule 18:16 - 4 Shtator, 2019

Drejtor për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik ka takuar në Tiranë aktorët kryesorë politikë në vend, nga mazhoranca e opozita. Vizita e zyrtarit amerikan vjen teksa vendi ndodhet në një krizë politike 6 mujore.

Kur kriza politike në vend ka mbetur prej muajsh në vendnumëro, drejtori për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik mbërriti në Tiranë dhe takoi njëri pas tjetrit drejtuesit politik në vend. Nuk ka një qëndrim zyrtar nëse Kostelançik ka një rol ndërmjetësues, por palët kanë marrë mesazhet e SHBA.

Zyrtari i lartë i DASH takoi kryeministrin Rama pasditen e të mërkurës për 1 orë e 40 minuta, siç raportohet me fokus të bisedës zhvillimet në vend, por edhe ato në rajon.

Në mesditë, Kostelancik takoi për 60 minuta kryetarin e PD Lulzim Basha. Mësohet se gjatë takimit zyrtari i DASH kërkoi angazhim nga opozita për reformën zgjedhore, ndërkohë që kryedemokrati ka bërë një panoramë të asaj që ndodhi me zgjedhjet e 30 Qershorit ku partitë opozitare nuk morën pjesë në zgjedhje. Takimi u përmblodh në një postim në Twitter nga kryetari i PD-së Lulzim Basha.

“Diskutim shume i hapur dhe konstruktiv me David Kostelancik, Drejtori i ri i Zyrës së Europës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit. Në fokus, fund  pandëshkueshmërisë së politikanëve, rikthim i Sundimit të Ligjit, dhënke fund kapjes së shtetit dhe korrupsionit dhe forcimi i partneritetit strategjik të Shqipërisë me SHBA”.

Paraditen e të mërkurës, zyrtari i DASH u takua me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë pas takimit mësohet se Kostelancik  në takimin me Ruçin vuri në dukje nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore dhe rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë e për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme.

Sipas zyrtarit të DASH, kryerja e reformës zgjedhore brenda vitit do të mundësoje edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020. Gjithashtu Kostelancik ka shprehur mbështetjen e ShBA për reformën në drejtësi, duke nënvizuar se “Institucionet e reja të sistemit do tu shërbejnë qytetarëve sot e në të ardhmen dhe do të mundësojnë që shqiptarët të jetojnë në paqe e mirëqenie. Vettingu është mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështetet fort nga SHBA”.

Zyrtari i lartë i DASH zhvilloi takime edhe me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!