Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim të martën që seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, dhe që ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit.
Gjykata e ka arsyetuar vendimin e saj, duke përmendur se ende nuk është zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
“Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Ajo i ka urdhëruar deputetët që “në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”.

