Nga emisioni Vetting:
Përtej të majtës dhe të djathtës, përballë godinës së kryeministrisë, kundër skllavërisë. Janë mesazhet e protestës qytetare që nisi të mërkurën e kësaj jave, për shkak të rolit të munguar të qeverisë në kontrollin për rritjen abuzive të çmimeve.
Prej disa ditësh, zërat e qytetit klithin pas perdes së kryeministrit kundër abuzimit me rritjen e çmimeve. Nuk ndodh shpesh që në atë shesh para godinës së qeverisë të mblidhen turma protestuesish pa iu prirë politika.
Qytetarë të thjeshtë, intelektualë, aktorë, të rinj e të reja, emigrantë, taksistë, fermerë, biznesmenë, aktivistë e të tjerë, mbushën sheshin e protestës pranë godinës së kryeministrisë.
Rritja e çmimit të naftës në vendin tonë erdhi me shpejtësi, si pasojë e krizës së shkaktuar prej luftës në Ukrainë… Çmimi i naftës arriti këtë javë në shifrën 2600 lekë duke shënuar edhe çmimin më të lartë të arritur ndonjëherë në vendin tonë. Kjo rritje e çmimeve u parapri nga dalja e kryeministrit para mediave për të shpallur panikun për çfarë na pret nga kriza e re.
Neni 9 i ligjit Nr.8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, parashikon:
Referuar këtij neni, ekspertët mendojnë se qeveria nuk e ka ushtruar asnjëherë detyrën që i ngarkon ky ligj. Ata besojnë se institucionet shtetërore nuk kanë asnjë kontroll mbi operatorët, ashtu siç parashikohet në ligj.
Por pas protestave kryeministri dhe ministrja e energjisë mblodhën furnizuesit e naftës në një takim ku dhe lajmëruan se do të niste menjëherë kontrolli në terren për rezervën e sigurisë.
Ekspertët bëjnë përgjegjës institucionet shtetërore të cilat nuk ndërhynë në kohë për të ndalur abuzimin jo vetëm me çmimin e naftës por për të gjitha çmimet që rriten për pasojë në tregun shqiptar. Por në situatën e fundit me rritjen e ndjeshme të çmime sipas tyre, thuajse mungon tërësisht qeverisja.
Kreu i Shoqatës në Mbrojtje të Konsumatorit, e konsideron mjaft abuzive rritjen e çmimeve duke theksuar se është ndeshur në indiferencën e institucioneve përgjegjëse për të kontrolluar tregun.
Drejtuesi i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, sqaroi për emisionin Vetting se nuk mund të shprehet në këtë situatë për shkak të një hetimi që institucioni që ai drejton ka nisur në tregun e karburanteve. Ai sqaroi se Autoriteti i Konkurrencës është në fazën e mbledhjes se informacionit dhe nga pozita zyrtare nuk mund të shprehet pasi kjo do kompromentonte vendimmarrjen e institucionit.
Pavarësisht justifikimeve të institucioneve shtetërore, në terren çmimet po vazhdojnë me rritje të shfrenuar e cila pritet të sjellë një situatë kaotike. Biznesi i vogël po përballet gjithashtu me pasojat e rritjes së çmimeve. Ata nuk besojnë tek ndihma e qeverisë dhe ka prej tyre që mendojnë të mbyllin bizneset.
Padyshim më të dëmtuarit janë konsumatorët. Ata gjenden të pambrojtur prej institucioneve shtetërore dhe kanë nisur të përgjysmojnë blerjen e produkteve.
Neni 7 i ligjit “për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit, i jep kompetencë këshillit të ministrave për të ndërhyrë në tregun e çmimeve në situate të caktuara.
Por Këshilli i ministrave nuk e ka ushtruar asnjëherë këtë kompetencë edhe pse çmimet e naftës vazhdojnë të rriten në mënyrë abuzive.
Çmimi i naftës ka pësuar rritje në të gjitha vendet por në Shqipëri rritja e çmimit është shumë më e ndjeshme edhe për shkak të modelit ekonomik që kanë zgjedhur qeveritë në 15 vitet e fundit. Ekspertët sugjerojnë rishikim të disa prej taksave të cilat rëndojnë mbi çmimin e naftës.
Efekti i krizës së luftës në Ukrainë, është reflektuar në përmasa shumë të vogla në vendet e Bashkimit Evropian por edhe ato të rajonit. Niveli i rritjes së çmimeve në këto vende është shumë më i ulët se në Shqipëri. Megjithatë, qeveritë e vendeve evropiane por edhe ato të rajonit, kanë marrë masa urgjente për të mbrojtur të gjitha shtresat e popullsisë. Në Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe sigurisht në të gjitha vendet e BE-së, janë miratuar paketa urgjente por edhe ndërhyrje urgjente të institucioneve shtetërore për të stabilizuar situatën. Në Shqipëri, kryeministri dhe institucionet shtetërore deri tani kanë shpallur vetëm panikun.
Nuk është vetëm kriza që erdhi për shkak të luftës në Ukrainë. Edhe më herët në Shqipëri çmimet ishin shumë të larta në raport me nivelin e pagave. Nëse në Shqipëri paga mesatare është rreth 400 euro p.sh në vende të zhvilluara paga mesatare është disa fish më e lartë se në Shqipëri. Por çmimi i gazit dhe naftës në Shqipëri është më i lartë krahasuar me vende ku standardet e jetës janë shumë të larta.
Organizatat ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë ndër vendet më të varfra në Botë ku mungojnë politikat mbështetëse për shtresat në nevojë. Ekspertët rekomandojnë paketë të rëndësishme mbështetje për të ndihmuar të gjitha shtresat e popullsisë për të përballuar krizën.
Në valën e protestave të përhapura në shumicën e qyteteve të Shqipërisë, kryeministri bëri publike detaje të paketës përmes së cilës ai beson se do të zgjidhë krizën.
Pavarësisht premtimit të kryeministrit për paketën antikrizë, protestat nuk po ndalen. Thuajse në të gjitha rrethet e Shqipërisë janë organizuar protesta qytetare pa ndikimin e politikës për të kulmuar në protestën e kësaj të shtune më 12 mars. /abcnews.al/

