Kriza në Venezuelë vijon të përshkallëzohet. Autoritetet janë vënë në ndjekje të elementëve kryesorë të opozitës, të cilët të gjendur pa imunitet po kërkojnë strehim nëpër ambasada.
Tre anëtarë të opozitës venezueliane janë strehuar në ambasadat e huaja, pasi kanë humbur imunitetin politik. Në tërësi janë 10 ligjvënësit që iu është hequr imuniteti pasi Gjykata Supreme deklaroi se duhet të hetohen për komplot, rebelim dhe tradhti.
Opozita e udhëhequr nga Huan Guaido u përpoq të nxiste javën e kaluar një rebelim ushtarak kundër presidentit Nikolas Maduro, por nuk ia arriti qëllimit. Zëvendësi i tij, Edgar Zambrano u arrestua ditën e mërkurë dhe gjykata urdhëroi menjëherë që ai të mbahet i mbyllur në një burg ushtarak në Karakas.
Zambrano e raportoi live në Twitter arrestimin e tij nga agjentët e shërbimeve sekrete, duke thënë se autoritetet rrethuan makinën e tij dhe më pas e zhvendosën me një vinç kur ai refuzoi të dilte jashtë.
Guaido, lider i opozitës që kontrollon Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, u vetëshpall president i përkohshëm i vendit në janar. Ndërsa statusi i tij është njohur nga më shumë se 50 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve latine, presidenti Maduro gëzon ende besnikërinë e forcave të armatosura dhe mbështetjen e vendeve si Rusia dhe Kina.
Të premten, administrata amerikane vendosi sanksione ndaj dy kompanive tregtare dhe dy anijeve çisternë të përfshira në tregti me Venezuelën./ABC News Albania 24/7