Sipas presidentit amerikan, Joe Biden, nëse Rusia vendos të pushtojë Ukrainën, kostoja njerëzore do të ishte shumë e madhe. Gjatë një fjalimi, Biden tha se SHBA-ja ishte e gatshme të përgjigjej me vendosmëri një lëvizjeje të tillë.
Presidenti amerikan tha se Rusia tani ka grumbulluar rreth 150,000 trupa në kufirin me Ukrainën. Ndërsa ministri rus i mbrojtjes ka thënë se disa forca janë tërhequr por Biden tha se diçka e tillë nuk ishte verifikuar.
“Largimi i forcave ruse do të ishte diçka pozitive por ne nuk e kemi verifikuar ende këtë. Nuk kemi verifikuar ende se njësitë ushtarake ruse po kthehen në bazat e tyre vendase,” tha presidenti i SHBA-së.
Të martën, Ukraina tha se një sulm kibernetik ka ndodhur me faqet e internetit të Ministrisë së saj të Mbrojtjes dhe dy bankave. Shkaku nuk është ende i qartë, por kjo nuk është hera e parë që Ukraina ka pësuar sulme të tilla, raporton abcnews.al
Prej kohësh ekziston shqetësimi se, në vend të një pushtimi në shkallë të plotë, Rusia mund të përdorë mjete të tjera për të destabilizuar Ukrainën, për shembull përmes sulmeve kibernetike.
Presidenti Biden tha të martën se Shtetet e Bashkuara ishin të përgatitura për t’iu përgjigjur çdo lëvizjeje të tillë. Fjalimi i Biden erdhi disa orë pasi presidenti rus Vladimir Putin tha se shqetësimet e Moskës për sigurinë duhet të merren seriozisht.
Putin gjithmonë ka mohuar planifikimin e një sulmi dhe tha se Rusia nuk dëshiron një luftë tjetër në Europë. Megjithatë, tensionet janë rritur që nga nëntori.
Pas raporteve të mëparshme se inteligjenca amerikane besonte se Rusia mund të sulmonte Ukrainën të mërkurën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e shpalli atë si një ditë uniteti, duke u bërë thirrje qytetarëve të valëvisin flamurin e vendit dhe të veshin shirita blu dhe të verdhë – ngjyrat kombëtare të Ukrainës.
/abcnews.al