Atë që ministrja e Energjitikës Belinda Balluku e quajti grusht shteti, e argumenton ndryshe kreu i qeverisë Edi Rama. Në një intervistë në “Log.” në ABC me gazetarin Endri Xhafo, Rama u shpreh se grusht shteti është fjalë e madhe por i mëshoi deklaratës se kriza në Rinas u stis nga presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha me bindjen që nuk do zgjidhej deri për zgjedhje.
“Nuk ka asnjë problem të kësaj natyre, ata do të qëndrojnë këtu. Është një akt solidariteti në kushte të rënda dhe të pakuptueshme për askënd. Këtu ishim në këtë pikë si pasojë e një marrëzie të stimuluar nga Ilir Meta dhe të mbështetur nga Sali Berisha. Grusht shteti është fjalë e madhe shumë. Nuk e kam përdorur asnjëherë. Grushti është grusht nuk diskutohet. Që është grusht në një moment pikat për të krijuar një situatë konfuzioni. Nuk është se kanë ndonjë qëllim të nxisim gjëra të tilla.
Informacionet kanë qenë të mjaftueshme për të kuptuar që këta njerëz ishin në presionin e një grupi organizatorësh që ishin jo rastësisht e materializuar në këtë moment. Për të ditur qëllimi ka qenë i mirë mbështetur në faktin që është shumë e vështirë të zëvendësosh kontrollorët. Faktikisht ne kemi një numër të caktuar ekselentësh që janë përfshirë në këtë proces. Plani është vënë në veprim duke pasur parasysh se nuk do mund të zgjidhnim gjë deri në zgjedhje”, tha Rama.
Rama deklaroi se ulja e pagave në këtë sektor ka ndodhur në çdo vend të botës ndërsa ironizoi duke thënë se me stresin që kanë mjekët mund të kërkojnë 5000 euro më shumë në muaj.
“Greva të tilla nuk mund të ndodhin se ndalohen në ligj. Ulja e pagave ka ndodhur në të gjitha struktura e ngjashme të gjithë botës. Këto struktura janë me vetëfinancim me një këshill mbikëqyrës. Kur trafiku ajror bie të ardhurat pakësohen dhe ka më pak para për të ndarë. Po në qoftë se do vepronim kështu, ata që janë aty kanë më shumë se një vit nëpër pavijon në spitalet COVID mund të kërkojnë 5000 euro më shumë se janë të stresuar realisht jo artificialisht”, deklaroi Rama./mv.abcnews.al