Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur kritikave për situatën në Bjellorusi, ku prej javësh vijojnë protestat kundër fitores së Lukashenkos.
Teksa mban postin e kryetarit të OSBE, Rama zbulon arsyen pse nuk ka shkuar në Minsk. Sipas Ramës OSBE nuk shkon në Minsk për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve.
Ai thekson më tej se Shqipëria po bën vërtetë më të mirën, bashkë me Suedinë.
Postimi i plotë:
Disa shqipe të politikës së madhe që fluturojnë lart, po vrerosen pse nuk kam shkuar në Minsk dhe ia paskam humbur një shans Shqipërisë! Në Minsk OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve.
Unë jam krenar për faktin se megjithë kohën e mallkuar të pandemisë, lidershipi ynë i OSBE ka kryer me sukses punën e premtuar dhe ka fituar respekt e besim ndërkombëtarisht, çka e tregon qartë edhe referimi i BE-së ndaj ofertës së OSBE për Minskun.
Nuk i kemi bërë publike komunikimet e shpeshta të këtyre ditëve me aktorë të niveleve të larta në BE e jo vetëm, sepse kjo është natyra e punës në këtë fazë, por dua t’i siguroj të gjithë të interesuarit për këtë temë se Shqipëria po bën vërtetë më të mirën, bashkë me Suedinë.
/abcnews.al

