Kriza energjetike e Europës po kthehet në një krizë ushqimore

schedule10:02 - 8 Shtator, 2022

schedule 10:02 - 8 Shtator, 2022

Nga Robert Bryce “Newsweek”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Njoftimi i së premtes së kaluar nga kompania Gazprom, se do të ndalojë për një kohë të pacaktuar dërgesat e gazit natyror nga Rusia në Gjermani nëpërmjet gazsjellësit “Nord Stream 1”, ka të ngjarë t’i rrisë çmimet evropiane të gazit natyror në 100 dollarë për 1 milion Btu, një nivel ky rekord që u vendos pikërisht javën e kaluar.

Mbyllja, për të cilën Gazprom fajësoi një problem me mirëmbajtjen, ndodhi në të njëjtën ditë që vendet e G7 deklaruan se do të vendosin një kufi tavan të çmimit për naftën ruse. Mbyllja e “Nord Stream 1” do të imponojë kosto edhe më të larta për konsumatorët dhe industrinë e rëndë në kontinentin evropian.

Por ajo do t’i japë një goditje veçanërisht të rëndë sektorit të plehrave kimike në Evropë, që deri tani ka mbyllur deri në 70 për qind të kapacitetit të tij prodhues, pikërisht për shkak të rritjes së çmimeve të gazit natyror. Dhe teksa po mbyllen më shumë fabrika, po bëhet më i qartë realiteti i hidhur i krizës energjetike të Evropës, raporton abcnews.al.

Ajo që nisi një krizë energjetike, është shndërruar në një krizë të plehrave kimike, dhe së shpejti do të bëhet një krizë ushqimore. Në korrik, kur çmimet e gazit në Evropë ishin dukshëm nën nivelet e sotme, Shoqata Ndërkombëtare e Plehrave Kimike, vlerësoi se një konflikt i zgjatur midis Rusisë dhe Ukrainës, së bashku me rënien e përdorimit të plehrave për shkak të kostove të larta, mund të shkaktojë humbjen e gati 2 për qind të prodhimit global të misrit, grurit, orizit dhe sojës.

Ndërkohë, shoqata parashikoi se shumë vende të Afrikës, por edhe në zona të tjera, përfshirë Meksikën, mund të përjetojnë rënie edhe më të mëdha të prodhimit të tyre ushqimor. Edhe një rënie e vogël e prodhimit të grurit, mund të sjellë një rritje të konsiderueshme të çmimeve.

Katër drithërat kryesorë – misri, gruri, orizi dhe soja – kërkojnë sasi të konsiderueshme të plehrave kimike me bazë amoniakun. Një rritje e çmimeve të gazit për shkak të mbylljes së “Nord Stream”, do ta bëjë edhe më të shtrenjtë prodhimin e plehrave në Evropë, pasi rreth 70 për qind e kostos së prodhimit të tyre është çmimi i gazit natyror.

Sipas CRU Group, prodhuesit e plehrave kimike në rajon po humbasin rreth 2000 dollarë për çdo ton amoniak që prodhojnë. (Amoniaku është një kimikat themelor për industrinë e plehrave kimike). Duke pasur parasysh krizën, prodhuesit në të gjithë kontinentin po i mbyllin fabrikat e tyre.

Dhe kjo nga ana tjetër, ka çuar në rritjen e çmimeve të plehrave kimike. Në fillim të vitit 2021, 1 ton amoniak u kushtonte fermerëve në Evropën Perëndimore rreth 250 dollarë për ton. Sot i njëjti pleh kimik, shitet për rreth 1250 dollarë për ton. Dhe këto çmime mund të rriten.

Muajin e kaluar, Yara International ASA, prodhuesi norvegjez i plehrave kimike, tha se do të ulë prodhimin e amoniakut në rreth 1/3 kapacitetit të tij. Edhe prodhuesit e plehrave kimike në Hungari dhe Poloni e reduktuan prodhimin në gush. CF Industries tha se do të ndalë prodhimin e amoniakut në fabrikën e mbetur ende hapur të këtij sektori në Mbretërinë e Bashkuar, raporton abcnews.al.

Në Lituani, Achema AB, ka deklaruar se do të ndalë këtë muaj prodhimin e saj. Të shtunën e shkuar, John Harpole, president i Mercator Energy me seli në Denver, një kompani që ofron ndërmjetësim në shitjet e gazit për sektorin e plehrave, më tha se ”se ka mbaruar prodhimi i plehrave për Evropën”, pasi me çmimet e sotme prodhuesit nuk mund të fitojnë para.

Harpole beson se mbyllja e “Nord Stream”, do të sjelle një rritje të konsiderueshme të çmimit të gazit në bursën energjetike TTF në Holandë. Të premten që shkoi, çmimi i gazit në TTF u mbyll në rreth 71 dollarë për 1 milion Btu. Sa për krahasim, e njëjta sasi karburanti në Henry Hub, standardi i SHBA-së, shitej për pak më pak se 9 dollarë.

Harpole shtoi se çmimi i një viti më parë i gazit natyror në TTF, ishte nën çmimin aktual. Kjo do të thotë se prodhuesit evropianë të plehrave kimikë, kanë pak arsye të besojnë se do të jenë në gjendje të kenë së shpejti ndonjë fitim nga produkti i tyre. “Nga Evropa nuk do të ketë më eksporte të plehrave kimike”- tha ai.

Përveç humbjes së prodhimit të plehrave kimike në Evropë, Kina ka nisur të kufizojë eksportet e plehrave të saj kimike që rreth 1 vit më parë. Ndërkaq Rusia filloi të kufizojë eksportet e plehrave kimike që në mars 2022. Rusia, që furnizon vendete tjera me thuajse çdo lloj lëndë ushqyese të bimëve, prodhon rreth 50 milion ton plehra kimike në vit, ose rreth 13 për qind të prodhimit global.

Nëse kësaj i shtojmë faktin se janë ulur edhe eksportet e drithit nga Rusia dhe Ukraina, atëherë bëhet edhe më e dukshme kriza e afërt ushqimore. Në një raport tjetër të publikuar në korrik, Shoqata Ndërkombëtare e Plehrave Kimike paralajmëroi se përdorimi global i plehrave mund të bjerë këtë vit me 7 për qind.

Ndërkohë mungesa e përdorimit të plehrave kimike në Afrikën Sub-Sahariane, mund të jetë deri në 23 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Rreth dy javë më parë, Akinwumi A. Adesina, presidenti i Grupit të Bankës Afrikane për Zhvillim, tha se Afrika “përballet tani me një mungesë prej të paktën 30 milionë tonë ushqim, sidomos grurë, misër dhe sojë të importuara nga Rusia dhe Ukraina”.

“Afrika po përpiqet të zbusë një zi buke, që mund të zhysë rreth 30 milionë afrikanë në nivele katastrofike të pasigurisë ushqimore. Kjo mund ta shtojë më tej krizën ekonomike dhe nxisë trazirat politike. Me miliona njerëz që do ta kenë të vështirë të blejnë ushqime, karburant dhe plehra kimike, protestat antiqeveritare janë një mundësi reale”- theksoi ai.

Ndërsa udhëheqësit afrikanë janë të shqetësuar për një zi buke dhe trazira civile të mundshme, liderët evropianë u duhet të zgjedhin midis të menduarit mbi furnizimet e ardhshme ushqimore dhe mbajtjes së ngrohtë të popullit të tyre këtë dimër, raporton abcnews.al.

“Vendet nuk mund të kërkojnë prodhimin e plehrave kimikë, pasi ato janë shumë të shqetësuara për të pasur mjaftueshëm gaz natyror për të ngrohur shtëpitë e njerëzve. Ata duhet të zgjedhin midis prodhimit të ardhshëm të ushqimit dhe ngrohjes, dhe ata do të zgjedhin ngrohjen”- thotë Harpole.

Ka shumë më tepër për të shkruar në lidhje me krizën e plehrave kimikë dhe ushqimit. Mbyllja e “Nord Stream 1”, duket se është vetëm zhvillimi i fundit në atë që ka të ngjarë të jetë një periudhë e qëndrueshme e çmimeve më të larta të ushqimeve, pasigurisë ushqimore dhe madje edhe zisë së bukës për dhjetëra miliona njerëz në mbarë botën.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!