Kriza energjetike, Berisha në Gjirokastër: U zbraz Drini, kaskada në “vdekje klinike”

schedule18:51 - 6 Tetor, 2021

schedule 18:51 - 6 Tetor, 2021

Ish-kryeministri Sali Berisha e nisi foltoren e tij në Gjirokastër duke akuzuar kreun e qeverisë Edi Rama në lidhje me paralajmërimin për krizën energjetike. Berisha deklaroi se Shqipëria e paguan naftën aq sa e paguajnë edhe qytetarët në Zvicër, pavarësisht se sipas tij ata paguhen 18 herë më shumë. Ai shtoi se fajin për zbrazjen e kaskadës së Drinit e ka kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij, në vend që të blinte energji, ka shitur gjatë muajit gusht.

“Pluralizmin në politikë e themeluam ne. Ajo ditë që u themelua Partia Demokratike është edhe dita e themelimit të pluralizmit politik në Shqipëri. Për herë të parë shqiptarët votuan të lirë kur votoi PD. Sot ku jemi pas 30 vitesh. Sot kemi një qeveri që është më e korruptuara, më anti-shqiptarja. Qeveri e rekordeve më të zeza që nga koha e diktaturës deri sot. Shqiptarët janë më të keq-paguarit të këtij rajonit ndërkohë që 8 vite më parë ishin më të mirë-paguarit. Sot jemi një vend që kemi shënuar vetëm rekorde të zeza për shkak të kësaj qeverie.

Sot kryesojmë Europën dhe po afrohemi të kryesojmë botën për largimin e shqiptarëve nga vendi i tyre. Sot pas 8 vitesh në rast se në 2013 KE propozoi statusin e kandidatit. Sot nuk thirremi më vend kandidat. Por me këto që bën qeveria, edhe ato që arritëm me djersë, mund dhe merita po i zhbën ky zotëria. Sot lajmi është kriza që do përpijë Shqipërinë. Cila krizë?! Çfarë spekulanti është. Çfarë gazifikimi kemi ne në Shqipëri? Sa energji elektrike prodhojmë nga gazi ne. Si na kap ne që energjinë e kemi nga ujërat tona. Rezervën më të çmuar në Shqipëri ka kaskadën e Drinit. Ajo është strategjike.

Ajo ishte plot edhe në muajin gusht me 296 metra. Po kaskada ishte plot dhe si rezervë strategjike kaskada gjithnjë ruhet për vjeshtë. Ai ka shitur gjatë gushtit energji masivisht. Deri sot janë prodhuar energji në Shqipëri 7.2 mld kilovat. Janë konsumuar maksimumi 6, pjesa tjetër është eksportuar.  Kaskada është në vdekje klinike. Në vend që të blinte, ai e ka shitur. Kjo është krizë e vërë vetë. Nuk është krizë e gazit në Shqipëri. Është krizë e Edi Ramës dhe ministres së tij që boshatisën kaskadën dhe dalin ju thonë ju do na përpijë kriza. Nafta në Shqipëri është cent për cent baras me Zvicrën. E dini sa janë të ardhurat për frymë në Zvicër. Qytetarët e Zvicrës marrin 18 herë më shumë se ne dhe litrin e naftës e paguajnë njësoj me ne”, u shpreh Berisha.

Në lidhje me Lulzim Bashën, Berisha e cilësoi edhe njëherë peng të Edi Ramës. Berisha shtoi se në vend që të luftonte për votën e shqiptarëve, ai u kujdes për karrigen e tij. Ai i kërkoi Bashës të provojnë fjalën e tyre në votë.

“Lajmi tjetër ishte ajo që korrupsioni dhe krimi i organizuar Shqipërinë e mbajnë larg BE-së. Të gjitha këto në një kohë kur opozita shqiptare tregoi paaftësitë e saj më të mëdha në histori në përballje me të. Duke ardhur në Gjirokastër, pashë titujt e gazetave Rama-Basha në Luganë, Berisha në Gjirokastër. U ndjeva i lehtësuar. Ne mblidhemi në një kohë kur Lulzim Bashan ë 8 vite e udhëhoqi PD-në nga disfata në disfatë, nga dështimi në dështim kur nuk qe në gjendje të mbështesë asnjë ligj përveç dekriminalizimit.

Në zgjedhjet e 25 marsit pas këtij seriali dështimesh, ai deklaroi se kjo ishte masakër zgjedhore. Unë isha i bindur që Rama plaçkiti vota më shumë se kurrë por ne nuk i fituam zgjedhjet. Kryetari në vend që të merrej me votën tuaj, po merret me karrigen e tij.

Ne vijmë sot këtu jo vetëm si opozitë e vjedhur nga Edi Rama. Por edhe e tradhtuar nga Lulzim Basha. Ai nuk flet më as për masakër, as për votë, as për asgjë. Ai ka tmerr nga votat. Hajde ta provojmë votën. Në votë je vetëm një. Sovraniteti është shtylla më jetike që një forcë politike të vijë në pushtet. Zvarranikët nuk e shohin kurrë pushtetin me sy. Foltorja synon t’i rikthejë PD-së sovranitetin”, tha ai. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!