Kriza ekonomike, reagon klubi i Laçit: Shteti të hedhë sytë nga futbolli!

schedule20:58 - 29 Mars, 2020

schedule 20:58 - 29 Mars, 2020

Klubi i Laçit ka bërë një njoftim në faqen zyrtare në Instagram, ku i ka kërkuar Qeverisë të hedhë sytë nga futbolli dhe të ndihmojë klubet shqiptare, pasi me këtë krizë ekonomike të shkaktuar nga Koronavirus, e kanë të pamundur të likuidojnë futbollistët e tyre, me dieta dhe me shpenzimet tjera. Më poshtë, dhe njoftimi i klubit kurbinas:

“Ditë të vështira për të gjithë shqiptarët dhe për gjithë globin duhet thënë. Askush nuk e kishte imagjinuar një situatë të tillë, por ky është realiteti tani. Gjithsesi të gjithë duhet të bëjmë forcat bashkë dhe ta kapërcejmë këtë sprovë.

Sigurisht pasojat janë të rënda dhe kanë nisur të ndjehen që tani. Po i ndjen edhe bota e sportit dhe ajo e futbollit në veçanti. Nuk mbeten jashtë kësaj krize as klubet shqiptare dhe as klubi ynë . Në kushtet kur çdo aktivitet është ndalur, edhe për klubet e futbollit është e vështirë që të likuidojnë detyrimet financiare mujore, sigurimet shoqërore , tatimin në burim dhe tatimin mbi fitimin , që janë jo të pakta në vlera.

Futbollistët, stafi dhe pjesëtarët e tjerë të klubit me të drejtë presin të paguhen. Ka njëfarë mirëkuptimi të gjithanshëm për situatën e vështirë, por në fund të gjithë mendojnë se çfarë do të shtrojnë në tryezë, si do të paguajnë qiratë, apo si do të shlyejnë detyrimet e tjera.

Në këto kushte kur çdo restorant është i mbyllur, e vetmja formë qe po i mundësojmë sportisteve tanë trajtimin ushqimor është shërbimi katering, pasi jemi të detyruar tu shërbejmë dietën ditore ushqimore sipas rregullave te përcaktuara në kontratë.

Nëse ne si klube nuk u përgjigjemi dot, praktikisht kemi pushuar së funksionuari. Ndaj, shteti shqiptar do të duhet ta shikojë me seriozitet edhe situatën e klubeve të futbollit, sikurse të çdo biznesi tjetër.

Kjo nuk është në të mirë të askujt, ndaj presim një reagim të qeverisë shqiptare për këtë situatë. Nuk kërkojmë as me shumë e as më pak, por të jepet ndihmë, siç ndodh kudo nëy Europë, duke nisur nga Kosova fqinje, qe jo me gjate se dy dite miratoi fondin prej 5 milion eurosh për sportin”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!