Presidenti amerikan Joe Biden është zotuar të shpërndajë 1 miliard dollarë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut për të trajtuar krizën ushqimore, sipas mediave të huaja.
Biden pritet të bëjë njoftimin, gjatë një takimi të shteteve arabe. Biden, në fazën e dytë të udhëtimit të tij të parë në Lindjen e Mesme si president i SHBA-së, është fokusuar në një samit të planifikuar me gjashtë shtete të Gjirit që përbëjnë Këshillin e Bashkëpunimit të Vendeve të Gjirit (GCC) dhe Egjiptin, Jordaninë dhe Irakun.
Biden po kryen një vizitë historike në Arabinë Saudite pas vizitës së parë në Izrael. Vizita e tij në shtetet e Lindjes së Mesme dhe veçanërisht në Arabinë Saudite, eksportuesin më të madh të naftës, sipas ekspertëve shënon një ndryshim në politikën e jashtme amerikane në rajon.
Por përveç efekteve gjeopolitike dhe ekonomike të luftës në Ukrainë, lind një rrezik serioz për sigurinë ushqimore në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, i cili deri vonë ishte destinacioni i një vëllimi të madh produktesh ukrainase.
Kjo është arsyeja pse presidenti amerikan kërkon të bëjë një përpjekje për të ndihmuar rajonin.
/abcnews.al