Kriza e Ukrainës, po e forcon kauzën e Emmanuel Macron për ngritjen e një ushtrie evropiane

schedule09:56 - 31 Janar, 2022

schedule 09:56 - 31 Janar, 2022

Nga James Stavridis “Bloomberg

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Kriza në Ukrainë vazhdon që të përshkallëzohet më tej, me Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe Rusinë që janë përfshirë në një “vallëzim diplomatik” të ndarë, duke shkëmbyer  dokumente dhe propozime të kundërta, mbi strukturën që duhet të ketë sistemi evropian i sigurisë.

Ndërkohë, Ushtria VIII-të e Gardës Ruse – një njësi e themeluar që një kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe me një lidhje historike me Ukrainën, të cilën presidenti rus Vladimir Putin e ri-emërtoi si të tillë disa vite më parë – do të ketë rolin kryesor në rastin e një pushtimi të mundshëm.

Deri më tani, pjesa më e madhe e veprimeve është përqendruar rreth SHBA-së dhe Rusisë. Dhe kjo është pikërisht ajo që synon Vladimir Putini. Presidenti rus kërkon që të theksojë statusin e barabartë midis Uashingtonit dhe Moskës.

Megjithatë evropianët, të udhëhequr nga Franca e presidentit Emmanuel Macron, po ndjekin trajektoren e tyre drejt negociatave. Po cila është axhenda e evropianëve, dhe si do të funksionojë ajo në këtë krizë, dhe jo vetëm?

Henry Kissinger mbahet mend edhe për deklaratën e tij të famshme, se problemi me përpjekjen për t’i “telefonuar Evropës” kur SHBA-ja ka nevojë për ndihmë nga aleatët e saj, është se nuk ka asnjë autoritet qendror që të ngrejë “receptorin” për t’u përgjigjur. Pavarësisht nga popullsia e madhe dhe fuqia e tij ekonomike, kontinenti i vjetër është i përçarë (në kuptimin e sigurisë) duke pasur një larmi kulturash, historie, gjuhësh dhe objektivash të politikës së jashtme.

NATO ka 28 vende evropiane, ndërsa Bashkimi Evropian ka 27 anëtarë, ku secili prej tyre e pedalon “biçikletën kolektive” me shkallë të ndryshme entuziazmi. Kjo gjë ka nisur të shfaqet në mënyrë të parashikueshme, edhe në qasjen ndaj krizës në Ukrainë.

Macron dhe Putin biseduan të premten në telefon, dhe shenjat e njëfarë divergjence midis SHBA-së dhe Evropës ishin më se të dukshme, me zyrtarët francezë që këmbëngulën se shefi i Kremlnit u tregua i gatshëm të sillej në mënyrë të arsyeshme.

Presidenti francez ka folur shpesh për nevojën e një politike të jashtme evropiane të pavarur. Dhe që nga shekulli XVII-të, Franca ka pasur historikisht marrëdhënie më të mira me Rusinë, se sa me shumë vende të tjera të NATO-s.

Francezët duket se besojnë se SHBA-ja, po reagon më mënyrë të tepruar ndaj forcave të Vladimir Putinit, që janë rreshtuar në kufirin me Ukrainën. Edhe miqtë e mi në ushtrinë franceze, thonë se ne po i kushtojmë më shumë rëndësi sesa duhet imazheve të tankeve, trupave dhe kamionëve rusë.

Unë nuk jam dakord me ketë qasje, dhe as komuniteti amerikan i shërbimeve të inteligjencës. (Gjithsesi në ndryshim nga gjermanët, nëse gjërat përshkallëzohen, francezët janë gati të zhvendosin disa nga trupat e tyre në Rumani).

Përveç forumeve diplomatike SHBA-Rusi dhe NATO-Rusi, ekziston edhe një rrugë krejtësisht evropiane e përpjekjeve diplomatike. Franca dhe Gjermania, janë pjesëtare të bisedimeve të Formatit të Normandisë, së bashku me Rusinë dhe Ukrainën, i vetmi grupim relativisht i vogël ku të dyja këto të fundit janë të angazhuara drejtpërsëdrejti.

Në të kaluarën, Formati i Normandisë ka pasur njëfarë suksesi në uljen e intensitetit të luftimeve, midis kryengritësve pro-rusë dhe forcave të qeverisë ukrainase në rajonin Donbas të Ukrainës Juglindore.

Në bisedën që zhvilloi me Putinin, Macron thuhet se ka hedhur në tryezë disa ide të reja për ta de-përshkallëzuar situatën, të cilat mund të mishërohen në bisedimet e ardhshme të Formatit të Normandisë, gjithmonë duke supozuar se nuk do të shpërthejë lufta në ditët e ardhshme.

Kjo qasje është në përputhje me një aspekt tjetër të politikës së jashtme dhe të sigurisë, që është tipike e Francës. Ajo ka të bëjë me pasjen e pozicioneve të pavarura, të cilat e zbehin rëndësinë e NATO-s. Në vitin 1966, presidenti francez Charles de Gaulle, e tërhoqi përkohësisht Francën nga struktura ushtarake e aleancës.

Macron ka folur shpesh për nevojën e krijimit të një ushtrie të qëndrueshme evropiane, e cila është sigurisht brenda mundësive të vendeve të pasura evropiane. Kur isha komandant suprem i forcave aleate në NATO, unë shihja shpesh aleatët tanë francezë – të cilët ishin kontribues të mëdhenj operacionalë në çdo mision të aleancës – të punonin fort për t’i përdorur forcat e tjera ushtarake të BE-së në misione kundër piraterisë, dhe në vatra të nxehta si Ballkani dhe Libia.

Krijimi i një ushtri të madhe evropiane, me sa duket nën drejtimin e Bashkimit Evropian, do të kërkonte konsensusin jo vetëm të Francës, por edhe të Gjermanisë, Italisë, Polonisë, si dhe të ushtrive të tjera të mëdha evropiane.

Ndërsa zyrtarët amerikanë ankohen shpesh (dhe me të drejtë) për dështimin e aleatëve evropianë të NATO-s, për të përmbushur qëllimin e deklaruar për të shpenzuar 2 për qind

të PBB-së së tyre për ushtritë e tyre, buxheti kolektiv i mbrojtjes evropiane (përfshirë atë të Britanisë) është rreth 300 miliardë dollarë, ose më shumë se trefishi i asaj të Rusisë.

Pra një ushtri serioze nën drejtimin e BE-së, është brenda mundësisë së tyre financiare, dhe aventurizmi në rritje i Putinit, mund t’i shtyjë evropianët në atë drejtim. Sigurisht, edhe bisedimet e Macron me Putin, tregojnë një lloj pavarësie të evropianëve në këtë krizë, dhe e forcojnë kauzën e krijimit të një ushtri evropiane.

Gjermania është elementi tjetër kyç për çdo iniciativë të tillë. Dhe gjatë ditëve të fundit, sinjalet nga qeveria e re e kancelarit Olaf Scholz, kanë treguar një qasje paksa më të butë ndaj Rusisë sesa pjesa tjetër e NATO-s.

Kjo është diçka e natyrshme, duke pasur parasysh lidhjet e rëndësishme tregtare Gjermani-Rusinë, dhe mbi të gjitha varësinë e madhe gjermane nga gazi natyror rus. Ndërsa kriza ukrainase vazhdon, Uashingtoni mund ta ketë gjithnjë e më të vështirë të ruajë një linjë

të fortë midis vijës anëtarëve  të aleancës perëndimore të vijës së ashpër SHBA-Britani, dhe qasjes disi më pajtuese të anëtarëve po të rëndësishëm siç janë Franca dhe Gjermania.

Kancelari  i ri gjerman, pritet të shkojë në fillim të shkurtit në Uashington për konsultime me presidentin amerikan Joe Biden. Natyrisht, Putin do të ishte shumë i lumtur të shihte që kërcënimet e tij përreth periferisë së Ukrainës, të krijojnë një përçarje serioze midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Për të, ky do të ishte një lloj dividendi gjeopolitik, në raport me objektivin e tij kryesor për të penguar Ukrainën nga afrimi i mëtejshëm me Perëndimin. Shpresa tjetër e tij e madhe, është të margjinalizojë NATO-n, nëpërmjet nxitje së mosmarrëveshje mes evropianëve në tryezën e Brukselit.

Deri më tani, SHBA-ja i ka dalë t’i mbajë të gjithë pak a shumë në të njëjtën linjë. Le të shpresojmë që nisma e Emmanuel Macron, të mos i japë Putinit mundësi të reja për të përfituar nga ndonjë dallim midis aleatëve. /Abcnews.al

Shënim: James Stavridis, admiral në pension i Marinës Amerikane, dhe ish-komandant suprem i trupave aleate të NATO-s.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!