Kriza e refugjatëve, Italia e vetme kundër BE-së

schedule13:56 - 25 Gusht, 2018

schedule 13:56 - 25 Gusht, 2018

Në mungesë të një marrëveshjeje me BE-në, Italisë i duhet të përballet e vetme me rastin e 150 refugjatëve në portin e Katanias, që e kanë futur në krizë qeverinë e tij. Sipas mediave italiane, kryeministri Konte po shqyrton opsionet për zgjidhjen e situatës, por ndodhet i paralizuar nga zëvendësit Salvini dhe Di Maio.

Dështimi në arritjen e një marrëveshjeje me BE-në për menaxhimin e rreth 150 emigrantëve të bllokuar në anijen e ankoruar në portin e Katanias ka futur në krizë Italinë. Kryeministri Xhuzepe Konte ka mbetur i paralizuar mes qëndrimit kategorik të dy zëvendësve të tij kundër zbarkimit të refugjatëve dhe përgjigjes së prerë të Brukselit, që refuzon ndarjen në kuota. Konte shpresonte në gatishmërinë e vendeve anëtare, një shpresë kjo që rezultoi e kotë pasi përgjigjia e BE-së nuk linte vend për interpretime. I ndodhur në një situatë tejet të tendosur, ai u tundua disa herë të lejonte emigrantët të zbrisnin nga anija “Diçoti”, por më parë vendosi të dëgjonte zëvendësit e tij Salvini dhe Di Maio, që në një linjë thanë: “në asnjë mënyrë”. Për Salvinin, një lëvizje e tillë do t’i jepte fitoren Europës, që në këtë moment për të do të ishte e papranueshme. I ndodhur i izoluar në qoshe, Konte reagoi i dëshpëruar duke akuzuar BE-në për tradhti.

“Po menaxhojmë një emergjencë komplekse dhe delikate dhe sërish po shohim hipokrizinë në momentin kur duhet kaluar nga fjalët në vepra”, deklaroi Konte. Kreu i qeverisë paralajmëroi se Italia do të veprojë në mënyrë autonome dhe për të treguar peshën e saj politike, si lëvizje të parë do të ndërmarrë ndërprerjen e kontributeve për emigrantët në BE, ose të paguajë më pak se 20 miliardë euro. por kundër këtij opsioni doli ministri i Jashtëm, Enco Moavero, i njohur si përfaqësues i krahut të moderuar të qeverisë. Çfarëdo që të ndodhë, situata e emigrantëve në portin e Katanias mbetet eksplozive dhe shqetësimi për shëndetin e emigrantëve, apo një incident që do të kishte pasoja të rënda mediatike është i madh. Kjo ka detyruar zëvendës kryeministrin Salvini që të përgatisë një zgjidhje rezervë: identifikimin e emigrantëve në bordin e anijes dhe shqyrtimin po atje të atyre që mund të kenë të drejtë për azil.

Pra, të lejojë vetëm një zbarkim të pjesshëm dhe të tregojnë se po i përmbahet partimit “në asnjë mënyrë”, sipas modelit australin. Fjala e fundit i takon gjithësesi kryeministrit Konte, i cili në këto kushte duhet të tregojë rolin e tij aktiv, për të mos u lënë vend akuzave të opozitës, që e cilëson një vartës të Salvinit dhe Di Maios./abcnews.al