Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u ka bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të veprojnë së bashku për mbrojtjen e kufijve të jashtëm, pas fluksit masiv të emigrantëve nga Maroku drejt enklavës spanjolle të Ceutës.
Sipas autoriteteve spanjolle, rreth 69,500 emigrantë janë kthyer në Marok, ndërsa bilanci i viktimave ka arritur në 72 në anën spanjolle dhe 11 në anën marokene.
Në një letër drejtuar kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, von der Leyen vlerësoi reagimin e autoriteteve spanjolle, por theksoi se ngjarja dëshmoi nevojën për forcimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian. Ajo kërkoi monitorim më të rreptë, përdorimin e barrierave fizike aty ku është e nevojshme dhe një përgjigje të koordinuar evropiane ndaj emigracionit të parregullt.
Kriza ka nxitur edhe përplasje politike brenda BE-së. Italia pezulloi përkohësisht zbatimin e marrëveshjes Shengen me Spanjën, një vendim që u mbështet edhe nga Finlanda dhe Danimarka, ndërsa Çekia kërkoi pezullimin e përkohshëm të Spanjës nga zona Shengen.
Nga ana tjetër, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez akuzoi disa qeveri evropiane se po politizojnë krizën dhe theksoi se Ceuta nuk është pjesë e zonës Shengen.
Ndërkohë, autoritetet spanjolle deklarojnë se situata në Ceuta po i rikthehet gradualisht normalitetit, ndërsa po vijojne punen për vendosjen e një barriere lundruese në det për të penguar kalimet e paligjshme. / abcnews.al /


