Kristiano Ronaldo, një nga shënuesit më të mirë të të gjitha kohërave

schedule13:25 - 19 Mars, 2018

schedule 13:25 - 19 Mars, 2018

Kristiano Ronaldo e tregoi veten sërish si një golshënues i madh, pasi realizoi 4 herë për Realin në ligën spanjolle. Gjithsesi, portugezi mbetet ende larg sulmuesve më rezultative të të gjitha kohëve.

U shfaq sërish si golshënuesi i përkryer.

Pavarësisht moshës 33-vjeçare, Kristiano Ronaldo realizoi 4 herë në portën e Gironës në La Liga, në një tjetër fitore të Realit dhe e shtoi edhe më shumë legjendën si një shënues i përsosur dhe një nga lojtarët më të mirë në histori.

Portugezi i artë arriti në 22 rrjeta këtë kampionat, duke qenë i dyti në listën e shënuesve, “Piçiçi”, i lënë prapa vetëm nga Lionel Mesi që ka 25.

Gjithsesi, ndërsa besohet se po i afrohet fundit të karrierës, ku ndodhet CR7-ta në renditjen e golshënuesve të futbollit botëror në të gjitha kohët?

Për momentin, Topi i Artë dhe Lojtari i vitit i FIFA-s është në vendin e 6-të, me 663 realizime, duke lënë pas Mesin që ka 630.

Nuk duhet harruar se Ronaldo është gati 2 vjet më i madh në moshë sesa Leo, dhe se ka luajtur 131 ndeshje më shumë, ndërsa ka 33 gola më tepër.

Në krye të renditjes së të gjitha kohëve është futbollisti nga ish-Çekosllovakia, Jozef Bican, që në vitet 1931-1955 e tundi rrjetën plot 805 herë dhe këtë e bëri në vetëm 530 ndeshje.

Mesatarja e tij ishte 1.52 gola për ndeshje, diçka që nuk e ka bërë askush tjetër.

Më pas vijnë Romario i Brazilit me 772 gola, legjenda Pele me 767, hungarezi Ferenc Pushkash me 746 dhe bomber gjerman, Gerd Myler, me 735.

Të gjithë këta kanë një mesatare gol/ndeshje më të lartë sesa Ronaldo.

Ylli i Realit arrin në 0.71 rrjeta për çdo takim, ndërsa Pele në 0.92, Pushkash në 0.99, Myleri në 0.92. Romario e Mesi ndërkaq janë në 0.78 gola për ndeshje.

Dy superyjet, që ende luajnë futboll, pra Kristiano e Leo, kanë lënë ndërkaq prapa legjenda të tjera të topkëmbës si hungarezin Ferenc Deak, gjermanin Uve Zeler, brazilianin Artur Fridenrajh, polakun Ernst Vilimovski, Euzebion, Hugo Sançezin, Fric Valterin, Zikon, Di Stefanon apo Xhimi Grivsin, që të gjithë me mbi 500 gola.

Duke u kthyer tek gara e këtij edicioni, Ronaldo, ai u bë më i miri “snajper” i sezonit me 37 rrjeta në 35 ndeshje, ndaj 35 që ka Mesi në 43 ndeshje.

Mes tyre është Salah i Liverpulit me 36./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!