Kristiano Ronaldo në historinë e Champions-it

schedule18:17 - 7 Dhjetor, 2017

schedule 18:17 - 7 Dhjetor, 2017

Kristiano Ronaldo vendosi një tjetër rekord të madh në karrierë. Ylli i Realit u bë i pari lojtar në historinë e Championsit, që shënon gol në secilën ndeshje të grupeve.

Këtë konkurrim e ka si shtëpinë e tij.
Pak rëndësi ka për Kristiano Ronaldon nëse është apo jo në formë në ligën spanjolle, pasi në Champions gjithnjë shkëlqen.
Portugezit nuk i mjaftoi që prej kohësh u bë shënuesi më i mirë në histori dhe i pari që kaloi barrierën e 100 golave.

Me rrjetën që realizoi ndaj Dortmundit në “Bernabeu”, Kristiano u bë i pari lojtar në Ligën e Kampionëve, që arrin të shënojë në çdo ndeshje të fazës së grupeve.
Ronaldo kishte shënuar dy gola në fitoren 3-1 të Realit në Dortmund.

Po ashtu, ia kishte dalë katër herë ndaj APOEL-it të Limasolit, në suksesin 3-0 në Madrid dhe 6-0 në Qipro.
Edhe kundërshtari tjetër i grupit, Totenhemi, pavarësisht se zuri vendin e parë nuk shpëtoi pa provuar këtë shije të hidhur.

Ylli 32-vjeçar ia doli të shënonte të paktën nga një herë në secilën ndeshje, në Madrid dhe në Londër, kjo e fundit e humbur 1-3.
Për të gjashtën herë në fazën e grupeve, Ronaldo u shpall golshënuesi më i mirë, ndërsa në total, ai ka shënuar 115 gola në Champions, prej të cilëve 99 me fanelën e Realit dhe 16 me Mançester Junajtidin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!