Mbrëmjen e djeshme një person mbeti i plagosur pas një tentative grabitjeje në Fier.
Banorë të zonës në Roskovec janë shprehur për “ABC” se familja nuk është problematike dhe se është hera e dytë që është tentuar të grabitet banesa e 65-vjeçarit, Arben Çepele.
“Ka ndodhur edhe një herë më përpara e njëjta ngjarje ku kanë tentuar për ta vjedhur këtë banesë. Jetojnë burrë e grua. Janë familje e rregullt dhe më parë kanë tentuar t’i vjedhin”, shprehet një qytetare.
“Dëgjuam krisje armësh. Një makinë me shpejtësi të madhe kanë kaluar këtu. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00. Më herët ka pasur vjedhje. Kjo banesë këtu është hera e dytë që vidhet”, shprehet një tjetër banor.
Lexo edhe: Dy kushërinjtë ishin në lokal dhe panë hajdutët nga kamerat, i plagosuri në gjendje të rëndë
Në një informacion paraprak policia bën me dije se autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy kushërinjve dhe për pasojë është plagosur kushëriri i pronarit të shtëpisë.
Informacion-Policia
Sot rreth orës 20:20, në Roskovec, persona të paidentifikuar kanë shkuar për të vjedhur në banesën e shtetasit A. Ç, rreth 65 vjeç, por janë pikasur nga pronari dhe kushëriri i tij.
Autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy kushërinjve dhe për pasojë ka mbetur i plagosur kushëriri i pronarit të shtëpisë, shtetasi A. Ç, rreth 40 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve.
Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vijon punën për fiksimin e çdo prove materiale që do shërbejë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
/abcnews.al/