Krisafi: Liderët që kemi dhe s’kemi, si kanë ndikuar ndërkombëtarët në çështjen shqiptare

schedule23:40 - 21 Korrik, 2020

schedule 23:40 - 21 Korrik, 2020

Prof. Dr. Ksenofon Krisafi , Dekan iFakultetit Juridik dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar, gjithashtu ish-ambasadori ynë në OKB ishte i ftuar në “Provokacija” këtë të martë me gazetarin Mustafa Nano.

Duke marrë shkas nga një shkrim i botuar nga Prof. Krisafi i cili fliste për liderët shqiptarë, të cilët përfaqësojnë interesat shqiptare në arenën ndërkombëtare e që sipas tij ata që realisht janë të tillë, e dinë se e drejta e një populli nuk lypet por fitohet, dhe mbrohet, duke njohur parimet e të drejtës, gazetari Nano mori shkas për të zhvilluar një bisedë në studio me Prof. Krisafin, duke folur më gjerësisht për këtë temë.

Si një nga njohësit më të mirë të së drejtës ndërkombëtare, Prof. Krisafi foli për faktorin ndërkombëtar, si ka ndikuar mbi çështjen shqiptare, dhe si është zhvilluar në kohë të ndryshme.

A ka akoma  të huaj që e shohin Shqipërinë vëngër?

Kësaj pyetje të gazetarit Nano, prof. Krisafi u përgjigj:

“Për fat të keq sipas meje vërehet kjo frymë. Ka një lloj nënvlerësimi ndaj shqiptarëve. Kam patur mundësinë dhe kënaqësinë të zhytem paksa në histori dhe të mësoj se çfarë ka ndodhur me këtë vend së paku që nga Kongresi i Berlinit 1878, kam konstatuar se në momentet më kruciale të historisë së shqiptarëve, kur shqiptarët i kanë bërë bashkë të gjithë faktorët e brendshëm për të arritur diku, ka dalë dikush nga jashtë, ai që ne quajmë faktori ndërkombëtar ose një pjesë e këtij faktori, që ka sabotuar këtë mund, përpjekje apo arritje, duke e shndërruar në zero aspiratën e shqiptarëve për të qenë të barabartë si të gjithë të tjerët.

Po ti referohemi Kongresit të Berlinit ai sanksionoi daljen e një vargu shtetesh në Ballkan. Unë do doja që të jepja nja dy të dhëna që flasin dhe na bëjnë të kuptojmë ne shqiptarëve se kush kemi qenë dhe ku kemi ardhur apo ku kemi mbetur.

Dua ti referohem disa emrave të mëdhenj, psh. Mithat Frashëri, është një figurë interesante dhe komplekse e gjykuar dhe e paragjykuar por që në fushën e kulturës ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme dhe që nuk mund të mohohen.

Mithat Frashëri nuk ka lënë libër pa lexuar që kishte të bënte me Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai tregon që shqiptarët në  vitin 1878 e në vijim përbënim popullsinë më të madhe në gadishullin e Ballkanit, më shumë se grekët, më shumë se serbët, më shumë se malazezët dhe mbi bazën e të dhënave të Mithat Frashërit i cili mbështetej mbi dhjetëra autorët të tjerë, kemi në vepër të një tjetër akademiku shumë të madh siç është Rexhep Qosja.

Në librin e tij “Çështja shqiptare” Qosja thotë se territoret shqiptare  në këtë periudhë duhet të ishin midis 80 mijë km2. Për një varg rrethanash ai thotë që territoret shqiptare nuk mund të jenë më pak se 50 mijë km2, gjithë të tjerët kanë qenë më pak se kaq.

Popullsia shqiptare sipas Frashërit dhe Qoses, deri përpara pavarësisë ka qenë 3 milion e 500 mijë shqiptarë nga të cilët 1 milion e 100 mijë jetonin në këto toka shqiptare që Konferenca e Ambasadorëve ia la shtetit të pavarur.

Pra 3 milion e gjysmë shqiptarë në 50 mijë km2, nuk kishim të drejtë të kishim territoret tona, organet tona, shtetin tonë?! Na paragjykuan ashtu siç bëri edhe Bismark por edhe të tjerë edhe pse kishte nga ata që kanë mbajtur qëndrime pozitive për shqiptarët në atë kohë.

Pikërisht për faktin se shqiptarët bënë atë kompromis që mbase nuk duhej ta bënin që lanë fenë që kishin dhe u konvertuan në islam, kjo ndoshta u konsiderua prej politikës së asaj kohe dhe politikës evropiane si një element negativ që nuk shkonte për mbarë me projektet e diplomacisë së fuqive. Mendoj se është një nga elementët sepse mund të ketë edhe plot gjëra të tjera.

Shqiptarët në atë kohë kanë patur dy armiq, e para ishte Perandoria Osmane dhe kjo është aq e vërtetë saqë perandoria osmane stimulonte hapjen e shkollave greke dhe jo hapjen e shkollave shqiptare, pra ishte kundër nesh. E dyta ishin fqinjët që ishin kundër nesh bashkë me protektorët e mëdhenj ku shqiptarët do të duhej të luftonin të vetëm kundrejt këtyre faktorëve shumë të rëndësishëm”.

Lidhur me zhvillimet historike të viteve të fundit ku faktori ndërkombëtar ka qenë më afër dhe më aktiv për çështjen shqiptare, Prof. Krisafi e lidhi me faktin se ndërkombëtarët u ndërgjegjësuan për çfarë kishte ndodhur me shqiptarët.

Prof. Krisafi ndau edhe një episod personal kur ai përfaqësonte Shqipërinë në OKB në vitin 1999, nga koha e luftës së Kosovës dhe përpjekjet e faktorit shqiptar për të ndërgjegjësuar ndërkombëtarët që të kuptonin se me shqiptarët po ndodhnin ngjarje të padëgjuara.

Sipas Krisafit, edhe vetë ndërkombëtarët kuptuan se shqiptarët ishin populli më proamerikan dhe se në Shqipëri mund të gjente mbështetje.

“Ka të bëjë me ndërgjegjësimin e faktorit ndërkombëtar me ç’ka po ndodhte me shqiptarët, ka të bëj me barbarinë që u bë shqiptarëve në Kosovë, që janë unikale. Në një  moment të caktuar forcat serbe kishin kapur një avokat të madh, Bajram Kelmendin bashkë me dy djemtë e tij egërsia e tyre shkoi deri aty saqë i thanë:

Ju të tre do të vriteni se s’bën, ne po të japim një kobure dhe do vrasësh cilindo nga këta djem të parin. Ai natyrisht nuk pranoi, një baba s’mund të vriste fëmijët e vet, (kjo është në raportin e Organizatës së kombeve të bashkuara në shtator të vitit 1999), ata vrasin në sy të babait të dy djemtë e tij dhe më pas edhe avokatin Bajram Kelmendi.

Kjo është një ngjarje makabër, e padëgjuar, e të tilla ka plot, dhe këto bën jehonë, sensibilizuan opinionin gjithandej, u sensibilizuan organizatat ndërkombëtare, në OKB ku unë kisha privilegjin të përfaqësoja vendin tonë.

Ne kemi bërë një punë kolosale duke treguar se çfarë po ndodhte në Kosovë dhe duke kërkuar ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, ne ndjenim se duhet të bënim diçka për Kosovën kudo ku kishim përfaqësues të Shqipërisë.

Nuk përjashtohet mundësia që edhe faktori ndërkombëtar  të kishte interes që të kishte mbështetje këtu dhe është vërtetuar edhe statistikisht që shqiptarët janë populli më proamerikan në gadishullin e Ballkanit.

Ne kemi besë dhe jemi njerëz të besës, dhe këtë faktori ndërkombëtar e ka kuptuar këtë. Ne jemi proamerikanë, çdo shqiptar dhe kudo ku ndodhen ata nuk ka se si të mos tregohen mirënjohjes ndaj amerikanëve”, u shpreh Krisafi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!